Të zbulohet e vërteta për të mbështetur shpresën dhe bashkimin kombëtar: ky është
thelbi i thirrjes që bëri këtyre ditëve kardinali Josip Bozanic, kryeipeshkëv i Zagrebit
e president i Konferencës ipeshkëvnore katolike kroate, duke folur në përkujtimin
e masakrës së Bleiburgut. Në këtë qytezë të Austrisë, para 70 vjetësh, më 1945, milicët
e Titos vranë shumë kroatë. Një tragjedi që ka shënuar e ndikuar në historinë e Kroacisë,
tha kryeipeshkvi i Zagrebit, sepse qëllimisht është heshtur e harruar deri më 1990,
vitet e rënies së komunizmit. Për këtë, kardinali kroat u kërkoi institucioneve e
besimtarëve kroatë, ta kërkojnë të vërtetën e cila “siç thotë Jezusi, e vërteta na
bënë të lirë”.
“Në Vendin tonë, të shënuar nga gjakderdhja – tha kardinali Bozanic – është më të
rëndësi të mos mbesim të bllokuar në të kaluarën, vazhdimisht të ekspozuar ndaj urrejtjes
e ndaj ideologjive të ushqyera nga e keqja, por përkundrazi, ta kërkojmë të vërtetën
për të lejuar të flasë shpresa, sepse pa të nuk mund të kemi të ardhme”. Pikënisja
e gjithë kësaj, shpjegoi kardinali, duhet të jetë “vlera e bashkimit, dëshira e përparimit,
e drejtësisë dhe e paqes, larg çdo lloj totalitarizmi”. Nga këtu, qortimi i kardinali
Bozanic të mos lejohet më që “ideologjitë e reja të sjellin ndarje të reja”, sepse
“besimtarët janë të thirrur, në besnikëri ndaj Ungjillit, t’i tregojnë e përshkojnë
përherë udhët e reja të bashkimit”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |