2015-05-20 14:51:00

Papa prindërve të ndarë: fëmijët nuk duhen trajtuar kurrë si pengje


Prindërit duhet ta marrin mbi vete rolin e  tyre edukativ, që fëmijët të rriten plot përgjegjësi për vete e për të tjerët. E, kur ndahen, fëmijët nuk duhen marrë kurrë “peng”. Këto, porositë kryesore të Papës në audiencën e sotme të përgjithshme, gjatë së cilës vijoi reflektimin kushtuar familjes dhe thirrjes së saj të natyrshme për edukimin e fëmijëve. Më pas kujtoi se të dielën e ardhshme katolikët e Kinës do t’i luten Zojës, Ndihma e të krishterëve.

Lidhur me edukimin e fëmijëve, Papa pohoi se ka ardhur koha që etërit e nënat të rikthehen nga “mërgimi” ku janë mbyllur e ta luajnë përsëri rolin e tyre, që të rinjtë të rriten plot me përgjegjësi ndaj vetes e të tjerëve. I nxiti, kështu, prindërit, duke përshëndetur një mori familjesh të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit e duke nënvizuar se sot lidhja e prindërve me fëmijët duhet të jetë e urtë dhe e ekulibruar. Në këtë lidhje, fëmijët duhet t’i dëgjojnë prindërit, gjë që i pëlqen Zotit, por edhe prindërit duhet të jenë të kujdesshëm e të mos i acarojnë fëmijët. Më pas Papa foli posaçërisht për punën edukative të prindërve në kohët tona, duke theksuar se në këtë fushë kaq delikate, nuk mungojnë vështirësitë:

“Është e vështirë puna edukative për prindërit, që i shikojnë fëmijët vetëm në darkë, kur kthehen në shtëpi, të lodhur e të këputur nga puna! Ata që kanë fat të kenë punë, natyrisht! E akoma më vështirë e kanë prindërit e ndarë, mbi të cilët peshon rëndë barra e kësaj gjendjeje”.

Kur ndahen, prindërit nuk duhet t’i marrin kurrë fëmijët si peng

Por shpesh herë, vërejti Papa duke kujtuar ato, që i quajti “martesa të ndara”, fëmija merret peng nga prindër, që s’bëjnë tjetër veçse të flasin keq për njeri-tjetrin:

“Kurrë, kurrë, kurrë nuk duhen marrë fëmijët si pengje!Ju u ndatë për një mori vështirësish e shkaqesh. Jeta ju vuri në këtë provë: por fëmijët nuk duhet ta mbartin barrën e kësaj ndarjeje, fëmijët nuk duhen përdorur kurrë si pengje nga njëri bashkëshort, kundër tjetrit. Fëmijët duhen rritur duke e dëgjuar nënën, që flet mirë për babain, edhe pse nuk jetojnë bashkë, e babain, që flet mirë për nënën”.

Kriza ndërmjet shoqërisë e familjes

Nga ana tjetër, shtoi, është hapur një hendek i thellë ndërmjet familjes e shoqërisë, familjes e shkollës, sepse besëlidhja edukative është thyer:

“Besa edukative e lidhur ndërmjet shoqërisë e familjes, ka hyrë në krizë, sepse është minuar besimi reciprok”.

Specialistët ua mbyllin gojën prindërve

Intelektualë ‘kritikë’ të të gjitha ngjyrave, vërejti, ua kanë mbyllur gojën prindërve në njëmijë mënyra, duke arritur deri atje, sa ta quajnë të dëmshëm edukimin familjar.

Familja, vijoi Papa, akuzohet për ‘autoritarizëm, favoritizëm, konformizëm, ndrydhje të ndjenjave. E kjo shkakton konflikte të vazhdueshme me prindërit, të cilët detyrohen vetëm të dëgjojnë, të mësojnë e t’u përshtaten mësimeve të ekspertëve. Këta soj njerëzish, shtoi Papa, kanë zënë vendin e prindërve edhe në aspektet më intime të edukimit, duke bërë që etër e nëna, rënduar keqas nga një mori vërejtjesh, të arrijnë deri atje, sa të mos i qortojnë kurrë fëmijët:

“Priren gjithnjë më shumë për t’u besuar ekspertëve, edhe për aspektet më delikate e personale të jetës së tyre, duke  mos i besuar më vetes, e kështu prindërit ndodhen para rrezikut të vetëpërjashtimit nga jeta e bijve të tyre”.

Një episod personal

Duke cituar, siç ndodh shpesh, ngjarje personale, Papa kujtoi se kur ishte fëmijë, i pati thënë një fjalë të keqe mësueses: u thirr menjëherë nëna e cila, me shumë ëmbëlsi, e ftoi t’i kërkonte ndjesë, duke pritur kthimin në shtëpi, për t’u marrë përsëri me këtë çështje:.

“Sot, nëse mësuesja bën një gjë të tillë, të nesërmen njëri nga prindërit apo të dy, ia behin në shkollë, për ta qortuar, ngaqë specialistët thonë se fëmijët nuk duhen cënuar kurrsesi. Kanë ndryshuar kohët e punët! Por kjo nuk duhet të ndikojë mbi prindërit, që nuk duhet të vetëpërjashtohen kurrë nga edukimi i fëmijëve”.

Prindërit i shpërblejnë gabimet me dashuri

Është e qartë se kjo mënyrë veprimi jo vetëm që nuk ndihmon për bashkëpunimin e familjes me institucionet e tjera edukative, por, përkundrazi, krijon kundërvënie. Natyrisht, vijoi Papa, disa modele edukative të së kaluarës, kishin edhe kufizimet e veta, por nuk duhet harruar se ka gabime që vetëm prindërit autorizohen t’i bëjnë, sepse mund t’i shpërblejnë me dashurinë e tyre pa fund, me atë dashuri që na e dhuron vetë Zoti. Për fat të keq sot koha është bërë tepër koprrace: nuk krijon më mundësi për të folur, për të reflektuar, për t’u ballafaquar, sepse shumë prindër janë sekuestruar nga puna, bezdisen nga kërkesat e fëmijëve e nga ndërlikimet e jetës së përditshme: prej këndej, ndjehen si të paralizuar, gjithë frikë se mos gabojnë. Ndihma dhe mbështetja, atëhere, mund të vijnë nga bashkësitë e krishtera, përmes dritës së Fjalës së Zotit:

“Edhe në familjet më të mira, anëtarët duhet ta durojnë njëri-tjetrin, duhet shumë e shumë durim. Durim për ta mbartur tjetrin. Po kështu është vetë jeta, jeta nuk bëhet në laborator, bëhet në  realitetin e përditshëm. Edhe vetë Jezusi u edukua në gjirin e familjes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.