2015-05-20 14:28:00

Kuba përgatitet për vizitën e Papës me temën “Misionar i Mëshirës”


“Misionar i Mëshirës Hyjnore”: kjo është tema e zgjedhur nga Konferenca Ipeshkvnore Kubane për të shoqëruar periudhën e përgatitjes për vizitën e Papës Françesku, parashikuar në shtator. “Në vazhdimësi me shën Gjon Palin II, i cili vizitoi vendin si Lajmëtar i së vërtetës dhe i shpresës – lexohet në faqen e internetit të ipeshkvijve kubanë – e në vazhdimësi me Papën e nderit, Benedikti XVI, i cili mbërriti në Kubë si Shtegtar i bamirësisë, tani presim Papën Françesku, Misionar i Mëshirës Hyjnore”.

Në përkim me Jubileun e Mëshirës

         Zgjedhja e temës, nënvizojnë prelatët, natyrisht, përkon me Jubileun e jashtëzakonshëm të Mëshirës, lajmëruar nga Papa Françesku më 11 prill. Ai do të fillojë gati menjëherë pas vizitës në Kubë, më 8 dhjetor të këtij viti e, do të përfundojë më 20 nëntor 2016. “Papa Françesku – nënvizon Kisha e Havanës – ka vendosur që gjatë Jubileut të dërgojë nëpër botë misionarë të mëshirës, të cilët të dëshmojnë se misteri i Mëshirës Hyjnore është burim gëzimi, qetësie dhe paqeje”. Që këndej, ftesa e ipeshkvijve për “t’i pritur me entuziazëm fjalët e Papës dhe për të shpresuar që jeta e tij t’i mësojë e t’i ndihmojë besimtarët për të qenë, si ai, misionarë të mëshirës”.

Do të jetë udhëtimi i 10-të ndërkombëtar i Papës Françesku

         Kujtojmë se vizita e Papës Françesku në Kubë është etapa e parë e një udhëtimi, që do ta çojë Atin e Shenjtë edhe në SHBA-të, me rastin e Takimit botëror të familjeve, në Filadelfia. Sipas parashikimeve të deritanishme, shtegtimi në Kubë e në SHBA-të është udhëtimi i 10-të ndërkombëtar i Papës, i katërti gjatë këtij viti, pas atij të janarit në Sri Lanka e Filipine, e pas udhëtimeve të ardhshme në Sarajevë, më 6 qershor, e në Amerikën Latine (Ekuador, Bolivi, Paraguaj), nga 5 deri më 13 korrik.








All the contents on this site are copyrighted ©.