2015-05-20 15:06:00

Deklaratë e përbashkët e Kishave gjermane për refugjatët dhe emigrantët


Në kuadrin e “Javës ndërkulturore 2015”, e cila do të mbahet në fund të shtatorit në Gjermani, Kisha Katolike, ajo ungjillore dhe ajo ortodokse vendase kanë nënshkruar një Deklaratë të përbashkët për mikpritjen e refugjatëve dhe të emigrantëve, që vijojnë të shkojnë në këtë vend të pasur që prej 40 vjetësh. Të krishterët vënë në dukje problemet aktuale të fenomenit: “Gjatë muajve të fundit – shkruhet në Deklaratë – kemi vënë re se, sot në Gjermani, ka akoma forma të hapura e të fshehura racizmi”. Kishat kërkojnë mundësinë për kontakte e shkëmbime kulturore, sepse “çdo takim e pakëson frikën nga të panjohurit dhe lehtëson vlerësimin e tyre”.

Kishat janë kundër çdo forme të përjashtimit

         Pjesëmarrja e emigrantëve në shoqëri, theksojnë ato, realizon barazinë e tyre me pjesën tjetër të popullsisë dhe ndihmon integrimin. “Nuk duhet të lejojmë – shkruhet në Deklaratë, duke pasur parasysh gjendjen në Mesdhe – që njerëzit, të cilët ikin nga problemet, nga lufta, nga dhuna e persekutimi, të rrezikojnë jetën në det. Duhen gjetur udhë të tjera për të hyrë në Evropë, në mënyrë që Mesdheu të mos kthehet në vend ku Perëndimi i krishterë dorëzohet para fakteve”.

Nevojitet program i ri për mikpritjen e refugjatëve

         Kishat e krishtera kërkojnë një program të ri për mikpritjen e refugjatëve, sidomos të atyre, që mund të shfrytëzojnë bashkimin familjar me të afërm, të cilët ndodhen në Evropë. Kritikojnë ashpër rregulloren e Dublinit për mikpritjen e regujatëve në kufirin e Bashkimit Evropian, e cila thjesht i kthen njerëzit mbrapsht. Duhet thënë se, pikërisht në këtë fushë, po lëviz aktualisht Brukseli. Brenda 22 qershorit do të fillojë misioni evropian kundër skafistëve, ndërsa ka zëra për një rezolutë të OKB-së, e cila mund të parashikojë edhe përdorimin e forcës, përveç mundësisë për të kontrolluar, sekuestruar e neutralizuar barkat e gomonet. Këto ditë, disa nga vendet evropiane kundërshtojnë ndarjen e kuotave të emigracionit në Bashkimin Evropian, duke treguar një egoizëm të pashoq, por zv.kryetari i Komisionit Evropian, Timmermans, deklaroi se strategjia e kuotave nuk diskutohet e se do të gjenden zgjidhje për pretendimet e këtyre vendeve, në të cilat bëjnë pjesë edhe Franca, Spanja e Hungaria.








All the contents on this site are copyrighted ©.