2015-05-19 14:24:00

Papa: na bën mirë të mendojmë për lamtumirën e fundit


T’i besojmë Atit Qiellor në çastin e lamtumirës. Në meshën e sotme në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku reflektoi mbi fjalët e Jezusit para se të shkonte drejt Kryqit dhe mbi ato të shën Palit në Milet, para se të shkonte në Jeruzalem. Ati i Shenjtë përmendi edhe viktimat e persekutimit, njerëz të detyruar të ikin nga sytë-këmbët, si popullsia Rohingya e Mianmarit dhe të krishterët e jazidët në Irak.

Sa shumë ikin nga persekutimet

         Jezusi e dinte se po shkonte tek Ati Qiellor për të na dërguar Shpirtin Shenjt; Shën Pali Apostull përshëndet me lot në sy pleqtë e ardhur nga Efesi për ta përcjellë, para se të niset për Jeruzalem. Papa Françesku u ndal në këto çaste të veçanta, për të shpjeguar ç'do të thotë “lamtumirë” për një të krishterë. Në çdo lamtumirë ka edhe vaj e lot, theksoi:

         “Të mendojmë sot për ata të shkretë Rohingya të Mianmarit. Në çastin që ikën nga toka e tyre, për t’u shpëtuar persekutimeve, nuk e dinin ç’mund t’u ndodhte. E që prej muajsh, janë në barkë, aty… Arrijnë në një qytet, ku u japin ujë, ushqim e, u thonë: ‘ikni tani’. Kjo është lamtumira. Sot, kemi të bëjmë me këtë lamtumirë të madhe ekzistenciale. Mendoni për ikjen e të krishterëve e të jazidëve, të cilët besojnë se nuk do të kthehen më në tokën e tyre, sepse janë përzënë nga shtëpitë. Sot, kjo!”.

Ta lemë veten në dorën e Atit Qiellor

         Ka lamtumira të vogla e të mëdha në jetë, vijoi Papa, si lamtumira e nënës, që përshëndet e përqafon të birin, para se të niset për luftë e që, çdo ditë zgjohet me frikë se mos vjen ndokush e i thotë: “ju falenderojmë shumë për bujarinë e birit tuaj, i cili dha jetën për atdheun”. Kemi edhe lamtumirën e fundit, nënvizoi Ati i Shenjtë, kur Zoti do të na thërrasë nga ana tjetër. Unë e mendoj këtë çast, tha Papa. Këto çaste nuk janë as “shihemi së shpejti”, as “shihemi më pas” e, as “mirupafshim”, sepse nuk dihet kur, si e nëse kthehemi. Tema e lamtumirës është e pranishme edhe në art e në këngë, vuri në dukje Ati i Shenjtë:

         “Më vjen ndërmend një këngë e alpinëve, kur kapiteni u lë lamtumirën ushtarëve të tij: testamenti i kapitenit. Mendoj për lamtumirën time të madhe, jo kur them ‘shihemi më vonë’, ‘mirupafshim’, por ‘lamtumirë’, “addio”? Këto dy tekste thonë fjalën ‘addio’. Shën Pali ia beson të vetët Zotit (Dio në italisht) e Jezusi ia beson Atit Qiellor dishepujt e vet, që mbeten në botë. ‘Nuk janë të botës, por ruaji’. T’i besosh Atit, t’i besosh Zotit: kjo është origjina e fjalës ‘addio’. Ne themi ‘addio’ vetëm në lamtumirat e mëdha, si ato të jetës, ashtu edhe në lamtumirën e fundit”.

Të mendojmë për lamtumirën tonë nga kjo botë

         Me këto dy ikona, tha Papa Françesku, pra, me atë të Shën Palit që derdh lot në gjunjë, para të gjithëve e, me atë të Jezusit të trishtuar para dishepujve, sepse shkonte drejt Mundimeve, mund të mendojmë edhe për lamtumirën tonë të fundit. Do të na bëjë mirë. Kush do të jetë ai, që do të më mbyllë sytë:

         “Çfarë lë pas? Si shën Pali, ashtu edhe Jezusi, të dy, në këtë çast bëjnë një lloj shqyrtimi të ndërgjegjes: ‘Kam bërë këtë e atë…’ Po unë ç’kam bërë? Do të më bëjë mirë ta imagjinoj veten në atë çast. Kur do të vijë, nuk dihet, por do të jetë çasti, në të cilin ‘shihemi nesër’, ‘shihemi pas pak’, ‘shihemi më vonë’ e ‘mirupafshim’ shndërrohen në ‘lamtumirë’, ‘addio’, ‘u pafshim në Tënzonë’. A jam i përgatitur t’ia besoj Zotit të mitë? T’ia besoj vetveten Zotit? Për të thënë atë fjalë, me të cilën biri e lë veten në duart e Atit?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.