2015-05-19 12:11:00

Diskriminimet kundër të krishterëve në vendet e OSBE-së vijojnë


Urrejtja kundër të krishterëve nuk shkakton krime vetëm në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe në Azi. Edhe në Perëndimin “e qytetëruar”, çdo vit, sinjalizohen me qindra raste kishash të profanuara, shtatoresh të shkatërruara, simbolesh fetare të hequra, sulmesh verbale, ose fizike në dëm të laikëve e të të shuguruarve. Pikërisht për këtë u fol sot në Vjenë, në Konferencën e dytë të OSBE-së (Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë) kushtuar temës së “parandalimit dhe luftës kundër intolerancës e diskriminimit të të krishterëve”.

Episodet e intolerancës nuk janë pakësuar

Hera e parë që OSBE-ja i kushtoi një konferencë kësaj teme, qe në Romë, në vitin 2011, por, siç denoncon delegacioni i Selisë së Shenjtë në Vjenë, që atëherë, episodet e intolerancës nuk janë pakësuar. Në Evropë, këto episode urrejtjeje nuk dalin shpesh në pah e fshihen, siç shpjegon në mikrofonin tonë, sociologu italian, Massimo Introvigne, i cili, katër vjet më parë, organizoi pikërisht konferencën e Romës, duke qenë përfaqësues i OSBE-së për luftën kundër racizimit, ksenofobisë dhe intolerancës fetare. Ta dëgjojmë:

Statistikat, që përpiqet t’i hartojë edhe OSBE-ja, e dimë të gjithë se nuk janë të plota, sepse shumë nga këto raste nuk regjistrohen nga shtetet e qeveritë. Kjo ndodh edhe në raportet që shtetet-anëtare të OSBE-së duhet të dërgojnë çdo vit. Aty përfshihen të gjitha krimet e urrejtjes, por ndërsa rreshtohen me detaje krimet kundër kategorive të tjera – gjë që, natyrisht, nuk e kritikojmë – ato kundër të krishterëve, nganjëherë, nuk vihen në dukje, ose harrohen.

Nuk respektohet as e drejta e kundërshtimit për hir të ndërgjegjes, apo jo?

Në pjesën më të madhe të vendeve të OSBE-së u njihet mjekëve të krishterë e drejta për të ndjekur ndërgjegjen e tyre në rastin e abortit, por kjo e drejtë nuk u njihet për shembull, farmacistëve, për kontraceptivët. Gjykata Evropiane e të drejtave të njeriut vendosi të mos ia njohë këtë të drejtë një funksionareje të një komune në Angli, e cila nuk deshi të bëjë ceremoninë e bashkimit civil të dy personave me të njëjtin seks, edhe pse, në atë kohë, martesa homoseksuale nuk njihej me ligj. Në SHBA-të ka shumë raste kur nuk u njihet e drejta as privatëve si lulishtarëve, pastiçierëve, fotografëve… të cilët nuk duan të shërbejnë në rastin e martesave ndërmjet njerëzve me të njëjtin seks.

 Profesor, pse këto raste hyjnë në kuadrin e intolerancës e të diskriminimit kundër të krishterëve? Nga një këndvështrim tjetër, edhe këto janë të drejta civile, pavarësisht se në konflikt me ndërgjegjen e krishterë.

Shumë raste dhunimi të drejtash çojnë në konfliktin ndërmjet të drejtave. Raste si ai i famshmi i Nju Meksikos, ku një fotografe refuzoi të fotografonte martesën ndërmjet dy grave, tregojnë se liria absolute e shprehjes, ndër të cilat edhe ajo e shprehjes artistike, para disa të drejtave në modë sot, nuk respektohet. Sigurisht, liria e fesë nuk është e vetmja e drejtë, por nuk duhet konsideruar “kushërira e varfër” e të drejtave të tjera. Madje, ka deklarata ndërkombëtare, që e konsiderojnë lirinë e fesë si baza mbi të cilën ngrihen shumë liri të tjera. Duhet të ulemi në tryezën e bisedimeve – besimtarë të feve të ndryshme e jo besimtarë – e të përcaktojmë “rregullat e lojës”. Natyrisht, ka masa teknike, që mund të marrim kundër urrejtjes dhe intolerancës ndaj të krishterëve: masa gjyqësore, administrative… Por unë mendoj se dialogu ndërmjet fesë dhe arsyes, ndërmjet feve të ndryshme e me jo besimtarët mund t’i parandalojë e t’i zhdukë krejtësisht këto krime.








All the contents on this site are copyrighted ©.