2015-05-18 19:10:00

Papa, ipeshkvijve italianë: denonconi me forcë korrupsionin


Denonconi me forcë korrupsionin, mos jini abstraktë në dokumentet baritore, forconi rolin e laikëve që të jenë të përgjegjshëm, pa nevojën e një “ipeshkvi-pilot”. Janë disa nga këshillat, që Papa Françeku u dha sot pasdite ipeshkvijve italianë, të mbledhur në Sallën e re të Sinodit në Vatikan, për Asamblenë e tyre të 68-të të Përgjithshme, përqendruar në Nxitjen Apostolike “Evangelii Gaudium”.

         I vendosur, në luftën kundër korrupsionit; armik i betuar i teorive dhe i sofizmave, në shërbim të njerëzve që i janë besuar; i mbështetur nga laikë të përgjegjshëm dhe të aftë e jo nga automë, që bëjnë vetëm ç’u thotë famullitari; i bashkuar me sivëllezërit e vet, me meshtarët e me Papën: ky është ipeshkvi, sipas fjalëve të sotme të Atit të Shenjtë, i cili u foli pa doreza anëtarëve të Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI), duke u kërkuar një zemër, që rreh në përkim me atë të Krishtit, ndjenja si të Tijat – përvujtni, dhembshuri, mëshirë, qëndrim konkret, urti. “Ndjeshmëri kishtare” i quajti Papa këto veti, me një fjalë, që pastaj e shpjegoi: ajo që na bën të shkojmë drejt Popullit të Zotit për ta mbrojtur nga kolonizimet ideologjike, që i shpërfytyrojnë identitetin dhe dinjitetin njerëzor”:

         “Ndjeshmëria kishtare do të thotë edhe të mos ndruhemi e t’i japim rëndësi mohimit dhe luftës kundër mendësisë së përhapur të korrupsionit publik e privat, e cila arrin deri sa të varfërojë pa turp familje, pensionistë, punëtorë të ndershëm, bashkësi të krishtera, duke mënjanuar të rinjtë, sistematikisht të privuar nga çdo shpresë për të ardhmen, e sidomos, duke margjinalizuar të brishtët e nevojtarët”.

Jo abstraksioneve

         Papa Françesku u kërkoi ipeshkvijve të jenë konkretë, duke filluar që nga dokumentet kishtare:

         “Nuk duhet të mbizotërojë aspekti teoriko-doktrinor abstrakt, sikur orientimet tona të mos i drejtohen popullit e vendit, por vetëm disa studiuesve dhe specialistëve. Duhet të vijojmë në përpjekjen për të paraqitur propozime konkrete e të kuptueshme”.

Vend për laikët, pa “pilot”

         Origjinale pastaj, mënyra me të cilën Papa lidhi ndjeshmërinë kishtare me temën e rolit të laikëve në Kishë. Ky rol është i pazëvendësueshëm, nënvizoi Ati i Shenjtë, e duhet përforcuar që të gjithë laikët të jenë në gjendje të marrin përsipër përgjegjësitë, që u takojnë. E megjithatë, vërejti Papa:

         “Laikët, që kanë një formim vërtet të krishterë nuk duhet të kenë nevojë për ipeshkvin-pilot, apo për monsinjorin-pilot, apo për ndonjë urdhër kishtar, që të marrin përsipër përgjegjësi në të gjitha nivelet, që nga ai politik në atë shoqëror, që nga ai ekonomik në atë legjislativ! Ama, të gjithë kanë nevojë për ipeshkvin-bari!”.

Të bashkuar e në marrëveshje

         Më pas, Papa Françesku preku temën delikate të kolegjialitetit në Kishë. Kjo do të thotë bashkim ndërmjet ipeshkvijve; solidaritet ndërmjet dioqezave më të pasura nga pikpamja materiale dhe ajo e thirrjeve, të cilat duhet të ndihmojnë ato në vështirësi; do të thotë bashkim ndërmjet periferive dhe qendrës, ndërmjet ipeshkvijve dhe Pasardhësit të Shën Pjetrit. Por, kritikoi Papa, realiteti është ndryshe:

         “Vihet re, në disa anë të botës, një dobësim i përgjithshëm i kolegjialitetit, si në përcaktimin e planeve baritore, ashtu edhe në ndarjen e impenjimeve programatike ekonomiko-financiare. Mungon zakoni për të verifikuar zbatimin e programeve e të projekteve. Për shembull, organizohet një kuvend, apo një ngjarje, që, duke vënë në pah zërat e zakonshëm, e narkotizon bashkësisë, duke homologuar vendime, opinione e njerëz. Në vend që të na transportojë drejt atyre horizonteve, ku Shpirti Shenjt na kërkon të shkojmë”.

Të përtërihet jeta fetare

         Papa përmendi plakjen e Instituteve fetare, kuvendeve e kongregatave, duke propozuar të bashkohen, para se të jetë vonë. Ati i Shenjtë u bë kështu gati të dëgjojë të tjerët, jo pa nënvizuar në fund se, pavarësisht nga lajmet e dëshpëruara me të cilat është e rrethuar, Kisha Katolike duhet të shkojë kundër rrymës: të jetë gjithnjë dëshmitare e gëzuar e Krishtit të Ringjallur, duke u transmetuar gëzim e shpresë edhe të tjerëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.