“Shumë të rënda, sipas gjykimit të njerëzve, janë fajet e tua si njeri e si mbret:
etje e pangopur për pushtet e për masakra, tolerancë e tepruar ndaj marrëzisë së ndjekësve
të tu, mendjemadhësi e mashtrim…”. Kështu, me gojën e një engjëlli, shkrimtari i njohur
italian, Gjovani Papini i flet Teodorikut në veprën e tij kushtuar gjyqit universal.
E ja edhe përgjigja: “Isha në krye të njërës nga kopetë e endacakëve të uritur dhe
gjithë autoriteti im si kapiten e si mbret nuk mund t’i kthente sa çel e mbyll sytë
në grigjë psalmistash e njerëzish që gjunjëzohen para Zotit….. Romakë të rifuqizuar
e Gotë të rifisnikëruar duhet të shkriheshin në një popull të vetëm e të fortë, të
aftë për t’i ridhënë Italisë vendin e parë në botë. Nuk ishte faji im në se kjo ëndërr
fisnike mbeti vetëm ëndërr”.
E kujtuam këtë fragment nga vepra e Papinit, sepse jeta e Shën Gjonit I, papë, lidhet
ngushtë pikërisht me dramën politiko-fetare të Teodorikut.
Toskan nga lindja, Gjoni u ul në fronin e papnisë pas papës Ormisda më 15 gusht të
vitit 523. Ndonjë studiues e identifikon me Gjonin diakon, autor i “Epistola Senarium”,
letër me rëndësi të madhe për historinë dhe liturgjinë e Pagëzimit, sepse ndoshta
është i vetmi dokument që vërteton traditën e Kishës së Romës për të ngritur e për
të shuguruar të Shtunën e Madhe shtatë elterë si dhe për të shtënë në Kelk një përzjerje
qumështi e mjalti. Përveç tjerash, Gjoni diakon njihet si autor i traktatit “De fide
catholica”, që erdhi deri në kohët tona përmes veprave të Severino Boecio-s.
Kur i biri i Kostancit u bë papë, Ormisda dhe perandori Justin, ungji i Justinianit,
e kishin kapërcyer që prej pesë vjetësh skizmën që pati ndarë Romën nga Kostantinopoja
në vitin e largët 484 për shkak të perandorit Zenon, i cili ishte përpjekur të realizonte
një kompromis të pamundur ndërmjet katolikëve e monofizitëve. Duke qenë se përpjekja
solli edhe kthesa politike e se gotët ishin arianë, rreth vitit 524 Justiniani publikoi
një edikt, me të cilin urdhëronte mbylljen e kishave ariane të Kostantinopojës dhe
dëbimin e heretikëve nga çdo detyrë civile e ushtarake. Atëherë Teodoriku e detyroi
Papën Gjoni I të shkonte në Kostandinopoje për të kërkuar nga perandori shfuqizimin
e dekretit: manifestimet që u organizuan për ta pritur Papën, qenë të jashtëzakonshme:
rreth 15 mijë vetë i dolën para me qirinj ndezur e me kryqa, duke i krijuar Gjonit
I edhe mundësitë të kryesonte kremtimet solemne të Krishtlindjes e të Pashkëve.
Justini pranoi kërkesën për t’ia kthyer arianëve kishat e shtetëzuara, por nguli këmbë
të mos ua njihte arianëve të kthyer në katolicizëm të drejtën të bëheshin përsëri
arianë. Kaq mjaftoi që Teodoriku, njeri tepër dyshimtar, që tashmë i kishte mbytur
Boecion e Simakun, të mendonte për një krim të ri. Sapo u kthye nga Kostandinopoja,
Gjoni I papë u flak në burgun e Ravenës, ku edhe vdiq ndër tortura më 18 maj të vitit
526. Trupi i Papës shenjt u mbart në Romë, në Bazilikën e Vatikanit, ku nderohet si
martir. Simboli i tij është palma. Emri Gjon, fort i përdorur në të gjitha kohërat
e në të gjitha vendet, vjen nga gjuha hebraike e do të thotë dhuratë e Zotit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |