2015-05-17 14:39:00

Nga veprimtaria javore e papës dhe e Vatikanit


Përfunduan bisedimet Vatikan-Palestinë

U arrit javën e kaluar konsensusi për tekstin dhe për nënshkrimin e marrëveshjes globale ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës. Lajmi u dha në fund të mbledhjes dypalëshe, që u mbajt në Romë më 13 maj. Akoma duhet caktuar data e nënshkrimit, lajmëroi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Gjithsesi, marrëveshja është parë në këndvështrimin e kontributit vatikanas për krijimin e dy shteteve, atij izraelit e atij palestinez, gjë që do të fashiste shumë probleme në Lindjen e Mesme.

Papa do të hapë asamblenë e ipeshkvijve italianë më 18 maj

Fjala e Papës Françesku do të hapë nesër në orën 16.30, asamblenë e përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, e cila do t’i përfundojë punimet të enjten. Ipeshkvijtë italianë duhet të diskutojnë mbi mënyrën e pritjes e të përhapjes së Nxitjes apostolike “Evangelii Gaudium”, mbi përgatitjen dhe programin e Kuvendit të pestë kishtar të Firences, që do të mbahet nga 9 deri më 13 nëntor, si edhe mbi çështje të tjera si formimi i vazhdueshëm i meshtarëve, Jubileu i jashtëzakonshëm kushtuar Mëshirës Hyjnore, miratimi i bilancit e zgjedhja e një sërë drejtuesish e përfaqësuesish. Të mërkurën, në orën 8.30, prelatët do të marrin pjesë në meshën e kryesuar nga prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinali Marc Ouellet, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Kardinali Parolin vizitoi spitalin e Krishtit Fëmijë

 “Vlerat morale, fetare e shkencore duhet të përkojnë, duke u nisur nga ideja thellësisht e krishterë, se njeriu është në qendër të çdo veprimtarie. Gjithçka që bëhet, edhe në nivelin shkencor, duhet të shërbejë për të ndihmuar konkretisht njeriun në nevojat e tij të ndryshme”. Këtë nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, gjatë vizitës së tij në spitalin e Krishtit Fëmijë në Romë, duke përshëndetur pacientët dhe personelin në emër të Papës Françesku, në 30-vjetorin e njohjes së spitalit si institut shkencor.

 “Sot, emergjenca është ajo e emigracionit, - nënvizoi kardinali në një intervistë për Radio Vatikanin – e gjithë këtyre refugjatëve, që trokasin në portat e vendeve tona. Ndër ta, ka edhe shumë fëmijë. Të mendojmë për gjendjet e frikshme të konfliktit, të dhunës, të luftës, të mjerimit, nga të cilat ikin këta njerëz e ndoshta, edhe reagimet e ndjenjat e zemrave tona mund të ndryshojnë”.

“Kurrë më shumë se tani – këshilloi Sekretari i Shtetit të Vatikanit – veprimtaria e spitalit duhet të frymëzohet nga ndjenja solidariteti. Kjo është rruga normale, në të cilën duhet të ecim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.