2015-05-17 14:24:00

100 mijë të krishterë të vrarë në një vit, 11 çdo orë


“Çdo vit, së paku 100 mijë të krishterë vriten për shkak të fesë, domethënë 273 në ditë, 11 viktima çdo orë. Të tjerë torturohen, burgosen, internohen, kërcënohen, mënjanohen, sulmohen, diskriminohen”. Kështu tha më 14 maj, në mikrofonin e Radio Vatikanit, kreu i Këshillit për Drejtësinë e Paqen i episkopatit irlandez, imzot John McAreavey. 80% e të gjitha akteve diskriminuese në botë drejtohet kundër të krishterëve, denoncoi ai. Situata rëndohet nga avancimi i të ashtuquajturit Shtet Islamik, dhuna e të cilit ka krijuar genocid kundër të krishterëve e pakicave të tjera fetare.

         Ipeshkvi i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë për t’i vënë fre këtij kërcënimi të vazhdueshëm kundër gjithë njerëzimit dhe kundër trashëgimisë kulturore e fetare për brezat e ardhshëm. Gjithashtu, ipeshkvi deklaroi: “Ne, si Kishë, dënojmë njëlloj edhe vrasjet e Isis kundër personave homoseksualë e jemi solidarë me jazidët e me të gjitha bashkësitë fetare, të cilat shfarosen, shpërngulen, nuk u respektohet as jeta e as e drejta e lirisë fetare dhe e lirisë së ndërgjegjes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.