2015-05-16 12:41:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës të të Ngjiturit të Krishtit në Qiell


Hyji është përherë me ne. Është pranë nesh në çdo moment të jetës sonë personale e komunitare. Të Ngjiturit e Jezu Krishtit në qiell nuk do të thotë lamtumirë e tij nga kjo botë, por është një mënyrë ndryshe e të qenurit të pranishëm (Ungjilli). Nuk është më i dukshëm për shqisat njerëzore, por për ato të fesë. Marku ungjilltar, në pjesën e liturgjisë së Fjalës të kësaj së diele, na propozon ftesën e Jezusit të Ngjallur për t’ia kumtuar Ungjillin çdo krijese. Nuk është fjala vetëm një nxitje, por edhe një urdhër, në mënyrë që askush të mos përjashtohet nga hiri i Hyjit. Qëllimi është ai për t’i bërë të lumtur njerëzit përmes takimit e miqësisë me Krishtin. Po mund të ndodhë rrezikut që të krishterët të rrinë të palëvizshëm duke shikuar lart drejt qiellit siç bënin dishepujt pas të Ngjiturit të Zotit Jezu Krisht, siç lexojmë në Veprat e Apostujve (I Lexim). Përkundrazi, Krishti na shtyn të shkojmë nëpër botë për t’ia sjell Lajmin e mirë të gjithë vëllezërve. Pali Apostull në letrën drejtuar Efesianëve ( II Lexim) flet për dhuratat që Krishti i ka lënë Kishës pas të Ngjiturit të Qiell. Njësia e bashkimi në shumëllojshmëri: çdonjëri, anëtar i Kishës, sjell dhuratën e vet të hirit hyjnor për të bërë të rritet korpi i Krishtit në dashuri e bamirësi. Këndej, të mos na mungojë kurrë shpirti misionar. Shembull për këtë e kemi edhe të Lumen shqiptare Nënë Terezë.

Kështu, festa e të Shëlbuemit është solemnitet që na kujton se çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur. Me këtë festë, kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm të Zotit Jezu Krisht ndërmjet njerëzve, që u pasua me përhapjen e Lajmit të Mirë, Ungjillit e të krishterimit, në mbarë botën.
Ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme Ngjitja e Krishtit në qiell, rikthimi tek Ati Qiellor, që përmbushi shëlbimin: “Në se unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi, por në se shkoj, do t’jua dërgoj” - u tha Jezusi Apostujve, siç na rrëfen Shën Gjoni Ungjilltar.
Në këtë festë, pra, bashkësia e krishterë është e thirrur t’i drejtojë sytë nga Ai që, dyzet ditë pas ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas një reje. Duke u ngjitur në qiell, Jezusi na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të përhershëm e të përjetshëm, që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të Tij, na ndihmon në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë.
Dyzet ditë pasi u qe dukur Apostujve me pamjen e tij të zakonshme njerëzore, që fshihte lumninë e të Ngjallurit, shpjegon Katekizmi i Kishës Katolike – Krishti ngjitet në qiell e rri në të djathtën e Atit. Ai është Zoti, që tashmë mbretëron me humanitetin e tij në lumninë e amshuar të Birit të Hyjit dhe ndërmjetëson pareshtur në favor tonë pranë Atit Qiellor. Jezu Krishti na dërgon Shpirtin e tij dhe na jep shpresë se një ditë do të arrijmë edhe në vendin që Ai na e ka përgatitur.
Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’, Jezusi na zbulon pa kurrnjë dyshim hyjninë e vet: kthehet prej nga erdhi, domethënë tek Ati, pasi e ka kryer misionin e Tij mbi tokë. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell, pasi mori mbi vete natyrën njerëzore, të cilën e ngjalli prej së vdekurve: kjo natyrë njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj themi se çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur në Mbretërinë e Hyjit, Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes. Duke soditur këtë ngjarje “ne duhet të jemi të sigurt se Zoti nuk është larg nesh, se nuk ndodhet në ndonjë vend të universit, ku nuk mund të arrijë askush. Ai e ka ngritur tendën apo banesën e vet ndërmjet nesh: në Jezusin, është bërë një prej nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e vet, mbetet mes nesh si një prej nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të. Ai na dëgjon, e në se ia vëmë veshin, edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet. Në Jezusin është Zoti që na pret!

                                                                                    Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi parë Vap 1, 1-11

Ungjilltari Luka na prezanton ngjitjen e Jezusit si fundin e një etape të planit të Hyjit, si shenjë të pranisë së përhershme të Jezusit në mes njerëzve. Me një prani të tillë hapet një kohë e re, ajo e Shpirtit dhe e Kishës misionare. Nga ajo ditë Ungjilli u dorëzua në duart tona. 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi që u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet të Shpirtit Shenjt. Ai, pas mundimit të vet, me shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit. Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lëshojnë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.” Tani ata që ndodhën bashkë me të e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” Ai u përgjigj: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.” Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin sesi ai ngjitej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “O burra galileas, përse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezusi, që prej jush u ngjit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!”  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
 

Psalmi 47

Ngritët Zoti me këngë të hareshme

Duartrokitni, o popuj të gjithë,
brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm,
Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

Ngritët Hyji me brohori,
Zoti me zë trumbete.
Këndoni Hyjit, këndoni,
këndoni mbretit tonë, këndoni!

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës:
këndoni këngë me mjeshtëri!
Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,
Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë

Leximi dytë Ef 4,1.13
Shën Pali mediton mbi misterin e ngjitjes së Jezusit në qiell dhe zbritjes së Shpirtit Shenjt duke u nisur nga psalmi 67. Jezusi Zot ka zbritur mbi tokë deri në thellësitë e ferrit, për tu ngjitur pastaj në qiell dhe për të marrë në zotërim gjithë universin. I ulur në të djathtën e Atit, dërgon Shpirtin Shenjt që mbron Kishën nga rreziku i mosmarrëveshjes mes të krishterëve dhe nga doktrinat heretike. Vetëm dashuria mund të ndërtojë njësinë e Kishës në të cilën Krishti është koka. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, ju përbej unë, i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë. Edhe secilit prej nesh i qe dhënë hiri me atë masë me të cilën Krishti deshi të na e dhurojë. Këndej edhe thuhet: ‘Kur u ngrit në lartësi i mori dhe u dha dhurata njerëzve’. E ajo fjalë: ‘U ngrit’, çka do të thotë tjetër, por se më parë ‘zbriti’ këtu poshtë, përmbi tokë; Ai që ‘zbriti’, është po Ai që ‘u ngrit’ mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë. E Ai i ‘dha’ disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t’i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit Krishtit, deri që të gjithë t’ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
 

Aleluja, Aleluja

Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, thotë Zoti.
Dhe, ja unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës
Aleluja

Ungjilli Mk 16, 15-20
Marku në tregimin e ngjitjes së Jezusit në qiell bashkon lavdinë e Krishtit dhe misionin e Kishës. Atë që ka prekur fundin e mjerimit njerëzor, Hyji e ka lartësuar; atij që është poshtëruar, Hyji i jep të gjithë besimin e tij. Nëse Hyji ka vepruar kështu do të thotë që duhet të shpallim veprën e çlirimit dhe të shpëtimit që Ati ka kryer në Birin. Ne e dimë që njëri prej nesh është tashmë në të djathtën e Hyjit dhe tërheq afër vetes të gjithë ne.
 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi iu duk të Njëmbëdhjetëve dhe u tha: “Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve. Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet. Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; në duar do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pinë ndonjë send që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.” Zotëria Jezus, pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte fjalën me mrekulli që e përcillnin. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

E tani më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të solemnitetit të të Shelbuemit, mund të dëgjoni këtu…..








All the contents on this site are copyrighted ©.