2015-05-15 16:14:00

Tauran: dialogu me myslimanët është më i nevojshëm se kurrë


Dialogu me myslimanët është më i nevojshëm se kurrë: këtë pohoi kardinali Jean-Louis Tauran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, duke u folur ipeshkvijve dhe delegatëve të Konferencave ipeshkvnore për marrëdhëniet me myslimanët në Evropë, mbledhur në Shën Maurice të Zvicrës. Dialogu është i nevojshëm, tha kardinali, në radhë të parë sepse shumica e myslimanëve nuk i miraton aktet barbare të terroristëve; pastaj sepse ta vijosh dialogun, edhe në rrethana persekutimi, mund të shndërrohet në shenjë shprese.

Në Evropë sot Islami ngjall frikë

Në vitet e fundit, nënvizoi, disa fenomene kontribuan për të krijuar një figurë negative të Islamit. Kujtojmë arritjen e shumë myslimanëve në kontinent përmes emigracionit klandestin, dukjen në Evropë të xhihadistëve, që bëhen menjëherë ushtarë të Allahut dhe përdorimin e fesë myslimane për të përligjur praktika të atilla, që i bëjnë evropianët të tremben nga Islami (sepse shpesh të thuash fe, duket sikur ke thënë dhunë). Kardinali Tauran pyeti: “A duhet besuar se Evropa është bërë strehë për lëvizjet fundamentaliste, që i përgatisin të rinjtë myslimanë, duke i mësuar ta pranojnë sa për sy e faqe mjedisin e ri e, njëkohësisht, edhe ta refuzojnë?”.

Të zbatohen kritere të ermeneutikës për tekstet kuranike

Por në këtë kontekst, në të cilin shumëkush percepton vetëm errësirë, kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar shikon edhe rreze drite. Dritë është bindja se në Evropë po afirmohet gjithnjë më shumë nevoja për të zbatuar kritere të ermeneutikës, domethënë të metodologjisë së interpretimit, për tekstet kuranike; për shembull, në rastin e një Ajatollahu të Teheranit, që tha, nëntorin e kaluar, se feja e arsyeja nuk përkojnë, ose në paraqitjen pranë Universitetit Gregorian të Katekizmit të Kishës Katolike, janarin e kaluar

Si mund të jesh mysliman e të bëhesh edhe evropian?

Për kardinalin Tauran është e qartë se autorët e parë që duhet të përgjigjen për zhdukjen e islamofobisë, në rritje në Evropë, janë bashkësistë myslimane të Kontinentit: “Duhet t’u bëjnë ballë ekstremistëve dhe terroristëve, që kërkojnë justifikim fetar për veprimet e tyre. Sidoqoftë, vetvetiu lind pyetja: ‘Si mund të jesh mysliman e të bëhesh evropian?’”.

Kardinali Ricard: vetëm udha e dialogut përgatit ardhmërinë

Edhe kardianli Jean-Pierre Ricard, kryeipeshkëv i Bordeaux, theksoi se vetëm udha e dialogut, e njohjes, e bashkëpunimit dhe e nderimit reciprok, përgatit realisht ardhmërinë. “Cila është fytyra e vërtetë e Islamit?”- pyeti kardinali. Drama e dëbimit të të krishterëve në zonat e kaluara nën kontrollin e shtetit islamik, preku shumë anëtarë të bashkësive tona të krishtera. Afirmimi i një islami pushtues e luftarak nga ana e liderëve të këtij shteti, i trazoi ndërgjegjet. E pikërisht kjo e thelloi islamofobinë në Evropë. Perceptojmë në shoqëritë tona, vërejti kardinali Ricard, rritjen e vazhdueshme të reagimeve islamofobe. Më prek fakti se këto reagime po shprehen gjithnjë më haptas, edhe në bashkësitë tona të krishtera. Vërejmë se një numër i konsiderueshëm myslimanësh ndjehet keq nga mosbesimi me të cilin shikohen, edhe kur dëshirojnë të mbajnë qëndrim besnik ndaj shoqërive tona evropiane, e aq më shumë, kur konsiderohen si “kolonë e pestë”, bashkëpunëtorë të një islami mizor e pushtues. Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, imzot Ricard propozon të analizohet me realizëm situata jonë e sotme e të shprehen përsëri me forcë bindjet tona. E dimë edhe se vetëm udha e dialogut, e njohjes, e bashkëpunimit dhe e nderimit reciprok  na përgatit realisht për të ardhmen. Kjo, për shoqëritë tona, është si sfidë, ashtu edhe thirrje nga ana e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.