2015-05-15 15:49:00

Françesku ipeshkvijve të Afrikës Qendrore: punoni për paqe e dialog


Në vendin tuaj, të trazuar nga dhuna, jeni të thirrur të favorizoni dialogun dhe bashkëjtesën paqësore ndërmjet grupeve të etnive e feve të ndryshme. Për këtë i nxiti fort Papa ipeshkvijtë e Afrikës Qendrore, të cilët i priti në audiencë, në Vatikan, me rastin e vizitës “ad Limina”. Papa, që ripohoi edhe rëndësinë e çelibatit meshtarak si dhe të formimit njerëzor të seminaristëve, i ftoi prelatët t’i mbrojnë familjet e plagosura nga varfëria, nga ndarjet e nga kolonializimi ideologjik.

Një popull, që vuan për shkak të dhunës e që e kërkon në Ungjill shpresën për të ardhmen në paqe. Ky është populli, të cilit i prijnë ipeshkvijtë e Afrikës Qendrore, të cilët Papa i falënderoi për dëshminë guximtare, duke i siguruar për afërsinë e tij të gjithë ata, që vuajnë prej shumë muajsh në një situatë të vështirë e të dhimbshme. Njëkohësisht Papa shprehu bindjen se pikërisht kur shpërthejnë dhuna e urrejtja, të krishterët janë të thirrur të përgjigjen me falje e dashuri.

Kisha katolike të promovojë dialogun e bashkëjetesën, të mbrojë familjen nga rreziqet e destabilizmit e të impenjohet plot mëshirë në formimin e meshtarëve, porositi Papa. E sidomos, porosia për t’ua lënë gjithnjë portën hapur priftërinjve, pa harruar se dënimi nganjëherë është i nevojshëm, por edhe se duhet të jetë masa e fundit, që duhet marrë. Ndërsa duke folur për seminaristët, Ati i Shenjtë theksoi rëndësinë e formimit të tyre shpirtëor, intelektual e komunitar, në mënyrë që meshtarët e ardhshëm të jenë në gjendje ta jetojnë impenjimin e tyre të çelibatit, për të cilin nuk mund të pranohet asnjë kompromis.

Françesku e falënderoi Kishën vendase për veprat e bamirësisë e të  promovimit njerëzor në dobi të nevojtarëve e, në përfundim, një mendim i veçantë për rregulltarët e rregulltaret, duke uruar që Viti  i Jetës së Kushtuar t’ua thellojë thirrjen e bashkimin e tyre me Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.