2015-05-15 14:11:00

Dom Nikollë Mini, famullitar i Prizrenit, në përvjetorin e vdekjes


Kujtojmë sot, më 15 maj, përvjetorin e vdekjes së Monsinjor Nikollë Minit, famullitarit të Kishës Katedrale së Prizrenit. Monsinjor Nikollë Mini lindi më 9 korrik 1924, në Ferizaj. Ishte më i vogli ndër katër fëmijët, që Zoti u fali prindërve, Kolë Mini dhe Monika Kajtazi.
Shumë shpejt mbeti jetim dhe iu desh të strehohej në dyert e të afërmve. Fëmijë i mençur, jashtëzakonisht i shkathët, tërhoqi vëmendjen e meshtarëve vendas, që e përcollën në seminarin e Prizrenit e pastaj në Seminarin e Shkodrës e të Zagrebit, ku kreu studimet filozofike e teologjike.
U shugurua meshtar njëherësh me don Milorad Defarin, misionar kroat i mirënjohur ndërmjet shqiptarëve me emrin dom Mila, në vitin 1950. Nisi menjëherë shërbimin meshtarak kudo e kërkoi Kisha: nga Shenjtërorja e Zojës së Bekuar Crnagore në Letnicë, në fshatin Novoselë e Bec të Gjakovës, në Zym e Velezhë të Prizrenit e pjesën e fundit të misionit meshtarak e të veprimtarisë kulturore e atdhetare në bashkësinë katolike pranë Katedrales së Prizrenit, ku edhe mbylli sytë më 15 maj 1992 në altar të Zotit, ndërsa kremtonte Meshën Shenjte, duke vulosur kështu përkushtimin themelor ndaj Krishtit e Kishës së Tij ndër shqiptarë, për të cilën jetoi e punoi tërë jetën.
Figurë poliedrike, Monsinjor Nikollë Mini u dallua si meshtar i zellshëm e atdhetar i flakët, si ndërtues kishash e posaçërisht të Kishës së gjallë, Trupit Mistik të Krishtit, si organizator i rinisë katolike, si mjeshtër i korit kishtar, si gojëtar-predikatar i Ungjillit, si publicist, si autor i fletëpalosjes "Zani i Zojës së Crnagorës" dhe i katekizmit me titull "Besimi katolik", themelues, bashkë me ipeshkvin imzot Nikë Prela, të revistës fetare-kulturore "Drita" e cila më vonë pati edhe shtëpinë e vet botuese prej nga dolën shumë botime me përmbajtje kulturore, fetare e shpirtërore. Në përvjetorin e vdekjes e kujtojmë dom Nikollë Minin si njeri që jetoi për Zotin e me Zotin, për popullin e me popullin; kultivues e përçues të vlerave ungjillore e kombëtare, si meshtar që jetoi për altarin dhe mbylli sytë në altar të Zotit, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në jetën e Kishës e të kulturës shqiptare, si model që meriton të ndiqet nga breznitë e reja.








All the contents on this site are copyrighted ©.