2015-05-14 15:35:00

Kongresi amerikan: murgesha irakiane për “genocidin” e të krishterëve


Të krishterët në Irak janë viktima të një “genocidi njerëzor e kulturor”, që mund ta tërheqë të gjithë rajonin në humnerën e një katastrofe të tmerrshme. Denoncimi u bë dje nga një murgeshë domenikane irakiane e Mosulit, motër Diana Momeka, para Kongresit amerikan të mbledhur në Uashington. Rregulltarja, së cilës, fillimisht, iu refuzua viza nga autoritetet amerikane, tregoi për dramën e popullsisë së krishterë, viktimë e xhihadistëve të Shtetit Islamik. Gjendja është e rëndë, pohoi murgesha, por jo pa shpresë. Motër Diana  u bëri thirrje SHBA-ve dhe bashkësisë ndërkombëtare që e ardhmja e Irakut dhe e bijve të tij të vendoset me diplomaci e jo me genocid, duke menduar të mirën e përbashkët e jo armët.

Refugjatët e krishterë, të cënuar në trup e në shpirt

         “Qershorin e kaluar – tregoi motra domenikane – i ashtuquajturi Shtet Islamik i Irakut e Sirisë (Isis) pushtoi pllajën e Ninives. Duke nisur nga qyteti i Mosulit, Isis shtiu në dorë njërin qytet pas tjetrit, duke u dhënë të krishterëve të rajonit tri mundësi: të kthehen në fenë islamike; t’i paguajnë një taksë (jizya) Shtetit Islamik; të ikin nga qyteti vetëm me rrobat e trupit. Që nga qershori i vitit 2014 e deri më sot, mëse 120 mijë vetë u detyruan të iknin në Kurdistanin irakian e të braktisnin shtëpitë, duke lënë pas të gjithë pasurinë e gjithçka, për të cilën kishin punuar në shekuj. Kjo çrrënjosje, kjo plaçkitje e çdo pasurie, që deri atëherë u përkiste të krishterëve, i shndërroi në refugjatë me trup e shpirt, duke shpërfytyruar humanitetin e dinjitetin e tyre”.

Falenderimi për Kishën në Kurdistan

         “Falë Zotit – vijoi tregimin motër Diana – Kisha në rajonin e Kurdistanit u kujdes për të krishterët e shpërngulur, duke bërë ç’ishte e mundur për ta përballuar këtë shkatërrim. Ndërtesat e Kishës pritën krahëhapur refugjatët, të cilëve iu dha ushqim e gjëra të tjera të nevojshme, përfshirë asistencën shëndetësore falas. Gjithashtu, Kisha bëri thirrje, të cilave iu përgjigjën shumë organizata humanitare. Kështu sot, shumë njerëz janë strehuar në parafabrikate, ose në shtëpi”.

Shteti Islamik dëshiron genocidin human e kulturor të të krishterëve

         “Persekutimi, që duhet të përballojë sot bashkësia jonë – vuri në dukje motër Diana para kongresmenëve amerikanë – është më i egri i historisë sonë. Jo vetëm na kanë marrë shtëpitë, pronat e tokat, por na kanë shkatërruar edhe trashëgiminë. Isis vazhdon të shembë e të bombardojë kishat tona, gjetjet arkeologjike e vendet e shenjta si Mar Behnam e Sara, një manastir i shekullit IV, si edhe manastirin e shën Gjergjit në Mosul. Të çrrënjosur e të përzënë me forcë, e kemi kuptuar se plani i Shtetit Islamik është zbrazja e tokave nga të krishterët e zhdukja e çdo prove, sado të vogël, që dëshmon ekzistencën tonë në të kaluarën. Ky është genocid njerëzor e kulturor. Të vetmit të krishterë që ndodhen tani në Pllajën e Ninives janë ata, që mbahen peng”.

Masa urgjente për bashkësinë e krishterë irakiane

         “Humbja që ka pësuar bashkësia e krishterë e Ninives e ka çuar krejt rajonin në pragun e një katastrofe të tmerrshme. Sot, për të rikthyer, ri-rrënjosur, ringritur bashkësinë e krishterë në Irak – përfundoi murgesha irakiane – duhen marrë me urgjencë këto nisma: të lirohen shtëpitë nga prania e të ashtuquajturit Shtet Islamik e të favorizohet kthimi ynë; të promovohet një përpjekje e përbashkët dhe e koordinuar për të rindërtuar ç’është shkatërruar – rrugë, ujësjellës, furnizim elektrik, përfshirë kuvendet dhe kishat – e të inkurajohen përpjekjet për të kontribuar në rindërtimin e Irakut e në dialogun ndërfetar. Kjo mund të bëhet përmes shkollave, akademive e projekteve pedagogjike e edukative”.








All the contents on this site are copyrighted ©.