2015-05-13 12:36:00

“Mater Ecclesia”- “Nëna e Kishës”, në Sheshin e Shën Pjetrit


Shtegtari a turisti, që shkel në Sheshin e Shën Pjetrit, shikon menjëherë, në krahun e Pallatit Apostolik, mozaikun e Zojës së Bekuar me titullin “Mater Ecclesia”. Në bazën e mozaikut, që paraqet Virgjërën Mari me Krishtin Fëmijë në krahë, është vendosur stema e Gjon Palit II dhe motoja “Totus Tuus – Krejt Yti”. Figurja, me lartësi më se dy metra e gjysëm, që u vendos aty ndërmjet nëntorit e dhjetorit 1981, ka një histori, që meriton të tregohet, aq më tepër në sa jetojmë ditët e majit të Marisë, duke përkujtuar edhe atentatin e 13 majit 1981, kundër Papës Wojtyla.

Kur, pas atentatit të 13 majit, Papa Gjon Pali II u rikthye në Vatikan nga Poliklinika Gemelli, drejtuesit e Governatoratit po studionin mundësinë e vendosjes së një shenje të dukshme në kalldrëmin e Sheshit të Shën Pjetrit, në zonën ku u qëllua Papa, për të kujtuar këtë faqe të dhimbshme të historisë së Kishës, por edhe për të dëshmuar shenjën e mbrojtjes qiellore.

Po Gjon Pali II shprehu menjëherë dëshirën që, në një vend të dukshëm të Sheshit, të vendosej një figure e Zojës së Bekuar. Ishte i bindur se e kishte mbrojtur Virgjëra Mari.  E pastaj vërejti edhe se shumëkush e kërkonte me sy Zojën në Sheshin e madh, ku dallohet menjëherë, në fasadë, Krishti, rrethuar nga Apostujt e shenjtorët më në zë të Kishës katolike, vendosur në gjysëm rrethi, në të dy krahët e Kolonatit të Berninit. Po Zoja  dukej sikur mungonte. E kjo sepse, figurja e Nënës së Kishës, pikturuar sipër Portës së madhe të Bronzit, mund të soditej vetëm duke hyrë poshtë Kolonatit, që të çon tek këmbët e shkallës së hyrjes në Pallatin Apostolik. Papa kërkoi të studiohej mirë kjo mundësi, duke pasur parasysh se Zoja do të vendosej në një Shesh madhështor, tejet të pasur me vepra të artistëve më të famshëm, të cilin shumë historianë arti e vlerësojnë si një nga sheshet më të bukura të botës.

Nisi menjëherë studimi i projektit. Me të u mor Komisioni i përhershëm për mbrojtjen e monumenteve historike e artistike të Selisë së Shenjtë, duke u këshilluar edhe me artistë të njohur. Po vendi prej nga sot Zoja, Nënë e Kishës, i shikon shtegtarët, duke u kujtuar faqe të lumnueshme të historisë së Kishës, u caktua nga profesor Carlo Pietrangeli, drejtor i asokohshëm i Muzeve të Vatikanit.  Sapo grupi i studimit arriti në Shesh, profesori tregoi me gisht pikërisht vendin, ku është sot ikona. E tha: “Për mua një simbol, që përkon mrekullisht mirë me skenën e Sheshit të Shën Pjetrit, do të ishte një mozaik, i vendosur në kornizën  e asaj dritares atje lart”. Ishte dritarja  e zyrës, ku punonin motrat daktilografe të Sekretarisë së Shtetit, që kishte edhe një dritare tjetër anësore. Kështu u gjet shpejt e shpejt rrugëzgjidhja  e përshatshme për një kompleks, si ai i Shën Pjetrit, që shumëkush do ta kishte quajtur të paprekshëm. I njoftuar për figuren dhe vendvendosjen e saj, Gjon Pali II pohoi se do t’i pëlqente Zoja “Nënë e Kishës”, sepse, shtoi, Nëna e Kishës është gjithnjë e bashkuar me Kishën e përherë pranë saj në çastet më të vështira të historisë”. Shprehu, më pas, bindjen, se më 13 maj Virgjëra Mari ishte pikërisht në Sheshin e Shën Pjetrit, për t’ia shpëtuar jetën,

U zgjodh si model Zoja me Krishtin Fëmijë, afresk i vendosur në elterin e parë, më të majtë, për kë hyn në Bazilikë nga porta anësore. Është një Zojë me Foshnjën, e cila, gjatë papnisë së Palit VI qe restauruar mirë e pastaj qe quajtur “Mater Ecclesia”, për kujtim të datës 21 nëntor 1964, kur Papa Montini, gjatë Koncilit II të Vatikanit, e pati shpallur Virgjërën Mari, Nënë e Kishës. Figurë e pasur me kuptim e histori, sepse afresk i vendosur në tremen e bazilikës së lashtë kostandiniane. Një nga veprat e pakta të artit, që shpëtoi e u mbart në Bazilikën e re, pas përfundimit të Kupolës mikelanxholeske, në vitin 1607, për t’u kurorëzuar në vitin 1645. U vendos të riprodhohej me artin e mozaikut pikërisht ky afresk historik, i titulluar “Mater Ecclesia”. Profesor Virgilio Cassio, në bashkëpunim me dy artistë ekspertë, interpretoi për mozaikun afreskun e lashtë, duke ia respektuar karakteristikat, me një prekje të lehtë të figurës së Krishtit Fëmijë e me  gjallërimin kromatik të krejt figurës, që të mund të shihej mirë nga larg.

Më 8 dhjetor 1981 Gjon Pali II, para se të kremtonte lutjen e Engjëllit të Tënzot, e bekoi figuren mariane, simbol i mbrojtjes qiellore mbi Papën mbi Kishën e mbi të gjithë ata, që arrijnë në Sheshin e Shën Pjetrit.

Veç kësaj shenje, në kalldrëmin e Sheshit u vendos një pllakë mermeri me stemën e Papës Wojtyla, për të treguar pikën e saktë ku u qëllua e ra.     

Tani shtegtari a turisti, që shkel në Sheshin e Shën Pjetrit, e shikon menjëherë Nënën e Kishës dhe e ndjen në shpirt se Zoja është aty, në Sheshin ku rreh zemra vigane e katolicizmit, për t’i kujtuar se ai, e mbarë njerëzimi, besimtar a jo, është në ndore të Nënës së Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.