2015-05-13 13:08:00

Përshëndetja e Papës për ipeshkvijtë ushtarakë të Evropës


“Profesioni i ushtarakut e shfaq fisnikërinë dhe domosdoshmërinë e tij, sidomos kur vihet në shërbim të çështjeve të drejta, si arritja e paqes, respektimi i drejtësisë, mbrojtja e të varfërve dhe e të brishtëve, kundërshtimi i atyre, që duan luftën”. Kështu shkruan në emër të Papës Françesku, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një letër për ipeshkvijtë, që shërbejnë në ushtritë e Evropës. Prelatët janë mbledhur në Paris, për kuvendin e katërt evropian me temë “Identiteti dhe misioni i ipeshkvijve ushtarakë, si edhe roli i tyre në favor të paqes”.

         “Ati i Shenjtë – shkruan kardinali Parolin – dëshiron me gjithë zemër që besimtarët, të cilët përqafojnë me bujari këtë formë jete e këtë ideal, ashtu si edhe të afërmit e tyre, të ngushëllohen, mbështeten e shndriten nga Kisha me kujdesin më të madh, që takimi me rrezikun e me vdekjen të përballohet me fe e shpresë, agresiviteti me forcë e drejtësi, armiqësia me dashuri e falje”. Kuvendi, që u hap të hënën, do të zgjasë tri ditë. Kujtojmë se në botë ka 36 Ordinariate ushtarake, të cilat konsiderohen nga Kisha Katolike dioqeza, me në krye ipeshkvin. Kapelanët ushtarakë i ndjekin ushtritë në luftë, por edhe në çdo impenjim për paqen, për t’u dhënë ngushëllim shpirtëror ushtarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.