2015-05-13 15:44:00

Papa: “me leje, më fal, faleminderit” për një familje të fortë e të lume


Në marrëdhëniet e bashkëshortëve e të familjes, tri janë fjalët e domosdoshme për ta kaluar jetën me dashuri e respekt: “me leje”, “më fal”,“faleminderit”. E ripohoi Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Në shtëpinë e edukatës së mirë mund të banojë Zoti, por edhe djalli, varet. Varet nga njerëzit, të cilët jetojnë në këtë shtëpi, që mund të kenë respekt të plotë, ose të bëjnë sikur kanë respekt, duke e përdorur këtë sjellje si  perde, për të fshehur pas saj indiferencën e gjithfarë poshtërsish të tjera, si, bie fjala, mendësinë e botës, në  jetën e fesë. Letra e turnësolit, për të kuptuar nëse themelet e kësaj shtëpie ngrihen mbi shkëmb, apo mbi rërë, janë tri fjalët, që Papa i kujton gjithnjë: “me leje”, “faleminderit” e “të lutem”. Pikërisht mbi këto tri fjalë, si mbi tri shtylla të fuqishme, Françesku e ngriti katekizmin e sotëm, duke shpjeguar se me të po niste një sërë reflektimesh, kushtuar jetës në familje.

Edukim i mirë, jo “mënyra” të mira sjelljeje

Mendimi i parë, ai kushtuar edukimit të mirëfilltë. Sepse mund të jetë “gjysëm shenjtërie”, sipas shprehjes së Shën Françeskut të Sales, ose, pohoi Françesku, “maskë, që fsheh thatësinë e shpirtit e mungesën e plotë të interesit për tjetrin”, me një fjalë, “zakone të këqija”:

“Djalli, që e tundon Jezusin, sillet mrekullisht mirë,  duket si zotëri i madh, si kalorës; citon, madje, edhe Shkrimin  Shenjt, aq sa të krijohet përshtypja se është teolog. Stili i tij i sjelljes duket fare korrekt. Sjellje e mirë, me ndjet të keq. Ndjeti i djallit është ta shtrembërojë të vërtetën mbi dashurinë e Zotit. Po ne nuk e duam këtë tip edukate. Duam edukatë në kuptimin e plotë të kësaj fjale, edukatë të vërtetë, jo për sy e faqe. Edukatë me rrënjët në dashuri, mirësi e respekt ndaj tjetrit. Familja jeton pikërisht në këtë frymë delikatese, në të cilën ndjehet fort dashuria për njëri tjetrin”.

Të kërkosh me mirësjellje, jo të pretendosh

 Françesku vijoi të fliste për ndikimin e fortë të tri fjalëve “magjike”, mbi jetën e bashkëshortëve e të familjes. Të thuash “me leje”, do të thotë ta kërkosh me njerëzi edhe atë gjë, që ndoshta mendon se të përket.

Kur hyn në jetën e tjetrit, edhe kur ai bën pjesë në jetën tonë, duhet të sillesh me delikatesë, sepse kjo sjellje përtërin besimin e respektin. Afërsia, që mund të kesh me tjetrin, nuk të jep të drejtë të sillesh pa respektin e duhur. Para se të bësh një gjë në familje, duhet  të  përdorësh gjithnjë gjuhën e mirësjelljes së mirëfilltë. Të thuash: “me leje, a mund ta bëj këtë?”. “A të pëlqen ta bëj kështu, apo ashtu?”. Të përdorësh gjuhën e njeriut të edukuar  e plot me dashuri. Kjo i bën shumë mirë familjes.

I krishteri, që nuk di të falënderojë, e ka harruar gjuhën e Zotit

Duke u ndaluar tek fjala e dytë “faleminderit”, Françesku i dënoi sjellet e këqija e fjalët e këqija, që po përdoren gjithnjë më shumë në atë, që quhet “qytetërim modern”. Në këtë qytetërim, falënderimi shikohet si ligështi e pritet me mosbesim. Në këtë drejtim Papa kërkoi të mbahet qëndrim, pa asnjë lëkundje:

“Duhet të mbajmë qëndrim të rreptë, kur është fjala për edukimin me mirënjohjen: dinjiteti i njeriut e drejtësia shoqërore kalojnë që të dyja nëpër këtë rrugë. Nëse në jetën e familjes ky stil zbehet e humbet, humbet pa tjetër dhe në jetën shoqërore. Mirënjohja, pastaj, për një besimtar, është në zemër të vetë fesë: i krishteri, i cili nuk di të falënderojë, është njeri që e ka harruar gjuhën e Zotit. Dëgjoni mirë, eh! I krishteri, që nuk di të falëndërojë, është njeri që e ka harruar gjuhën e Zotit.

Të mos  bjerë kurrë muzgu, pa bërë paqe në familje

Fjala e tretë, e vështirë “më fal”. Fjalë, që kur mungon, i thellon plasaritjet  e vogla, të krijuara në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, duke i bërë hendeqe të thella, që ndajnë. Reflektimi i Papës është i thjeshtë e universal:

“Të pransoh se nuk je në rregull, të dëshirosh t’ia kthesh tjetrit, atë që i  është hequr: respektin, sinqeritetin, dashurinë, të bën të denjë për falje. E kështu ndalohet rreziku i mahisjes së plagës. Mjafton një ledhatim i lehtë! Pa fjalë. E në familje nuk duhet përfunduar kurrë dita pa bërë paqe. Po si bëhet kjo paqe? Duke rënë në gjunjë? Jo! Mjafton një përkëdhelje. Pa fjalë. Por kurrë të mos e mbyllësh ditën, pa bërë paqe. E kuptuat këtë? Nuk është e lehtë, eh? Por duhet bërë. E me këtë jeta do të jetë më e bukur”.

Në përfundim të audiencës, si të ishin notat e një partiture, që duhej mësuar përmendësh, 25 mijë besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit u bënë një kor, i drejtuar nga Papa, që përsëriti tri fjalët e posaçme e parimin e paqes në familje, pa pritur të perëndojë dielli e të dyndet muzgu.

Provë për sigurinë, në prag të Jubileut

Në gatishmëri të plotë sot, gjatë audiencës, forcat e rendit, që kishin vendosur parmakë deri në Rrugën e Pajtimit, duke i vënë të gjitha hyrjet nën kontrollin e rreptë të policisë dhe të karabinierëve. Kuestura e Romës shpjegoi se ishte një provë, për të rishikuar planet e sigurimit në zonën rreth Selisë së Shenjtë, edhe lidhur me Jubileun e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.