2015-05-12 14:24:00

Tërmet tjetër në Nepal prej 7,3 ballësh


Tërmet tjetër prej 7,3 ballësh në Nepal, në verilindje të Katmandusë, kur akoma nuk ka kaluar as një muaj nga tërmeti i fuqishëm, që rrafshoi shtëpi e tempuj, duke shkaktuar mëse 8 mijë viktima. Në emergjencë për pasojat e 3 javëve më parë, tani, qeveria nepaleze duhet të dërgojë helikopterë, ndihma e personel, sërish në zonën ndërmjet Katmandusë dhe malit Everest. Numri i viktimave rritet vazhdimisht e, edhe në vendet fqinjë si India e Tibeti.

Në krahasim me tërmetin e mëparshëm prej 7,8 ballësh, epiqendra e të sotmit, në qytetin Namche Bazar, ishte më thellë nën tokë: rreth 18,5 km përkundrejt 15 kilometrave të tërmetit të 25 prillit, më të fuqishmit në vend, që nga viti 1934. Pikërisht për këtë arsye, shpresohet të ketë shkaktuar më pak dëme se i pari.

Aeroporti i Katmandusë u mbyll sot përkohësisht, pavarësisht se është e vetmja pikë referimi për ndihmat ndërkombëtare. Edhe në kryeqytet ranë dy ndërtesa, të cilat ishin dëmtuar që me tërmetin e mëparshëm. Njerëzit janë tmerruar kudo në vend e preferojnë të flenë jashtë. Deri tani, tërmeti i sotëm është ndjekur nga gjashtë lëkundje të tjera të tokës, vërtet më të vogla, por të ndjeshme. Lëkundjet janë ndjerë edhe në Kinë e Bangladesh.








All the contents on this site are copyrighted ©.