2015-05-12 17:59:00

Kardinali Stella: Kuba në pritje për vizitën e Papës, ngjarje shprese


Pati jehonë të madhe këto ditë në Kubë, takimi i presidentit Raul Kastro me kardinalin Beniamino Stella, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë, pikërisht kur po jepej njoftimi për vizitën e Papës në ishullin karaibik, shtatorin e ardhshëm. Pas vizitës që i bëri Kishës kubane nga 22 deri më 28 prill, kardinali Beniamino Stella flet, në mikrofonin tonë, për fenë e kubanëve, takimin me Kastron, shtegtimin e ardhshëm të Papës, shkrirjen e akujve në marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit e Havanës:

Përgjigje: - Më ka prekur gjithnjë aspekti i vëllazërimit të thellë në Kishën kubane. Kishë e qetë, e hareshme, ku ca barrë jo të lehta, le t’i quajmë historike, mbarten pa ankime, sepse plot besim e shpresë. Kjo, atmosfera e jetës së kubanëve. Ua kam vënë në dukje edhe ipeshkvijve  e meshtarëve që, nganjëherë, kur kalojnë situata të vështira, trishtohen. Ndërsa në Kubë ka pak vend trishtimi, ndoshta edhe për shkak të temperamentit të këtyre njerëzve të mirë e, sigurisht, edhe si pasojë e besimit të thellë të laikëve, të priftërinjve, ipeshkvijve. Jetohen situata të vështira, të paqarta, por plot me besim: besim në Zotin e besim në vullnetin e mirë të atyre, që i prijnë Kishës, e, natyrisht, edhe atyre, të cilët kanë në dorë fatet publike të vendit.

Pyetje: - Diçka pikërisht për këtë që kujtuat në fund: gjatë vizitës në Kubë, ju patët mundësinë të takoni presidentin Raul Kastro. Ç’mund të na thoni për bisedën me të?

Përgjigje: - Ishte një bisedë e gjatë: presidenti kujtoi të kaluarën, që kubanët nuk mund ta harrojnë lehtë, por edhe perspektivat e së ardhmes, dëshirën për të shikuar përpara e për t’i kapërcyer situatat e vështira. Presidenti më tha se janë në studim disa reforma, kryesisht ekonomike. Por edhe lidhur me veprimtarinë e Kishës. Ka disa gjëra, që duhen kujtuar. E unë i kujtova presidentit ato situata, për të cilat ipeshkvijtë presin përgjigje,  në kontekstin e vizitës së Papës. Kryesore, tema e meremetimit të kishave dhe e ndërtimit të kishave të reja e, jo më pak, ajo e vështirësisë që kanë meshtarët për lëvizur nga një zonë, në tjetrën. U preka thellë kur, në përfundim të një kremtimi, pashë një meshtar që po merrte biçikletën. E pa se po e ndiqja me sy, u ndal e më tha: “Është biçikletë e kohës së Nuhut, kur ndjehej fort prania ruse, por…”. Ai fliste e unë thosha me vete: “Biçikletë e denjë për t’u vënë në muze”. Po meshtari i mirë i gëzohej biçikletës muzeale, sepse pa të nuk do të kishte mundësi të vinte në kremtim  e, aq më pak, të kalonte nga një bashkësi në tjetrën, në një vend ku meshtarët janë ende të paktë. Pa llogaritur klimën tropikale, me reshje të vazhdueshme. Kisha ka nevojë të lëvizë me mjete më moderne, që ta kursejë këtë lodhje, për t’ia kushtuar punës baritore. Tema e tretë, tejet aktuale, është ajo e pranisë më të ndjeshme të Kishës në mjetet e komunikimit. Ka pasur shumë progres në këtë drejtim, gjë që do të thotë se, ngadalë-ngadalë edhe Kishës po i krijohen hapësirat e duhura në mediat moderne. Por unë besoj se vizita e Papës do të sjellë të reja pozitive, shumë të dëshiruara, edhe në fushën e medias. Është, pastaj, tema e internetit, temë me shumë aktualitet. Sot, ju të Radio Vatikanit e dini mirë se nuk është vetëm televizoni, vetëm radioja, por është sidomos interneti, është komunikimi dixhital, të cilin Kisha kubane e dëshiron shumë. Por kjo dëshirë nuk mund të realizohet, pa fuqizuar mbështetjen teknologjike në fushën e internetit, risi për Kishën kubane. Besoj se do ta realizojnë së shpejti. Është, pastaj, problemi i shërbimit të bashkësive që jetojnë në male. Atje, në vend të kishave, janë ngritur “casas de misión”, ku shkojnë nganjëherë meshtarë, diakonë e katekistë, për të vizituar bashkësinë. Kisha duhet të ketë mbështetje për veprimtarinë e saj ungjllëzuese, ndonëse diçka është bërë edhe në këtë drejtim. Besoj se vizita e Papës do të jetë vërtet një dritare e madhe, një hapësirë e gjerë, për t’u rritur në përmasën e ungjillëzimit e të misionit.  

Pyetje:- Ju kujtuat disa elemente të asaj, që pritet nga vizita e Papës në Kubë. Cilat janë mbresat që patët në këtë drejtim gjatë vizitës suaj?

Përgjigje: - Eh, po, pritja është e madhe! E madhe, edhe kureshtja për t’u njohur me të gjitha hollësitë e shtegtimit të Papës: ku do të shkojë, nga do të niset... Kureshtje e natyrshme për besimtarët kubanë, që kanë njohur nga afër Gjon Palin II e Papën Benedikti. Tani presin të njohin Françeskun, vizita e të cilit është shumë e dëshiruar, edhe pse, Papë nga tokat latinoamerikane. Papë, që flet gjuhën spanjolle, gjuhën e kubanëve... Besoj se do të jetë një çast shumë prekës për Kishën, për komunikimin, për besimtarët e për të gjithë kubanët. Por, sidomos, për ata, që punojnë, që militojnë, me fenë e tyre e me jetën e tyre kishtare, në misionin e fesë katolike.

Pyetje: - Ju cekët edhe vizitat e mëparshme të Papëve, si nunc apostolik  në Havanë, në vitet ’90. Ishit ju, që e organizuat vizitën historike të Gjon Palit II në Kubë. Me atë rast, Papa Wojtyla, ndërmjet tjerash, pati thënë edhe këtë frazë të paharrueshme: “Kuba t’ia hapë portat botës, bota Kubës!”. E, në një farë mënyre, kjo është një ëndërr, që po bëhet zhgjëndërr...

Përgjigje: - Nuk mund të them se e organizova unë atë shtegtim. Isha i pranishëm, po, në të gjitha rrethanat; e dëshiruam gjatë, e pritëm pa durim, e pastaj, erdhi gëzimi i madh: punuam... Ndryshe nga ky shtegtim, ai i Gjon Palit II u përgatit për një kohë të gjatë, ndoshta për një vit të tërë. Në çdo këndvështrim, qe shtegtim tepër i menduar, tepër i studiuar, tepër i parapërgatitur. Me të gjitha hollësitë. Ndërsa shtegtimi i Françeskut po përgatitet më shpejt, pas përvojës së dy shtegtimeve të tjera, që i paraprinë: unë mendoj se në katër muajt, që mbeten deri kur të vijë Papa, do të vijojmë përgatitjen. Po punohet për të zgjidhur edhe problemet  logjistike të vizitës. Rëndësi ka pjesëmarrja, sensibilizimi i katolikëve kubanë, shtegtimi i tyre drejt pikave të takimit, ku do të ndalohet Papa gjatë kësaj vizite vërtet baritore, tejet të dëshiruar nga të dyja palët. Rëndësi ka që Françesku të jetë i pranishëm, të kremtojë, ta vizitojë e të mund të komunikojë me këtë Kishë të jashtëzakonshme, në rritje të vazhdueshme, me vlera të mëdha të krishtera e njerëzore, që perceptohen me sy e me zemër nga shtegtari, përudhë në shtigjet e Kubës.

Pyetje: - Presidentët Raul Kastro e Barack Obama, duke kumtuar “shkrirjen e akujve” ndërmjet SHBA-ve e Kubës, nënvizuan rolin pozitiv, të rëndësishëm të Papës Françesku. A do të kontribuojë Kisha edhe në të ardhmen për thellimin e dialogut ndërmjet kubanëve e amerikanëve?

Përgjigje: - Papa Françesku ishte me të vërtetë ai, që dha sidomos kontributin e lutjes së tij, të fesë së tij e edhe të karizmës së tij. Nuk kam dyshim se e ka ndjerë fuqimisht temën kubane, për t’i vënë pastaj në jetë këto nisma “diplomatike”, siç quhen. E këtë e bëri si bari, siç ishte e natyrshme...Mendoj se duhet t’i jemi thellësisht mirënjohës. Atij personalisht, zemrës së tij, aftësisë së tij krijuese. Prandaj Kisha kubane është në përkim të plotë me Papën Françesku e do të dijë t’i çojë më tej këto nisma përmes Konferencës ipeshkvnore. Rëndësi ka që Konferenca të marrë mbi vete këtë impenjim publik, formal, të dialogut me autoritetet e vendit. E që, pastaj, çdo ipeshkëv të bëhet interpret, veprimtar i këtyre nismave me karakter publik, në mënyrë që afrimi të mund të vijojë e të konkretizohet gjithnjë më shumë. Temat në rend të ditës  ndërmjet dy vendeve, besoj se nuk janë aspak të thjeshta, nuk janë as të pakta, por në se ekziston vullneti i mirë, nuk do të ketë pengesa të mëdha për t’u kapërcyer e as male të larta, për t’u ngjitur. Ne dëshirojmë - e edhe unë dëshiroj përvujtërisht - që të arrihen sa më shpejt rezultate me interes të madh, që hapin një etapë përfundimisht të re e, posaçërisht pozitive, në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.   








All the contents on this site are copyrighted ©.