2015-05-12 18:27:00

Firence, për dy ditë, kryeqytet i dialogut


Nga 15 deri më 17 maj, Firence do të jetë “kryeqytet i dialogut”. Shoqata “Vendi i takimit” përsërit, në qytetin toskan, Festivalin  e Feve, me qëllim që të kapërcehen armiqësitë e paragjykimet e të gjinden rrugë të reja ballafaqimi e përkimi ndërmjet përvojave e udhëve fetare në kohën e fanatizmit e të luftërave me bazë sektare. Manifestimi, në edicionin e tij të dytë, ofrohet si hapësirë e rast për të bërë hapa përpara në kërkimin e udhëve të bashkëjetesës, në kohën kur nisin përsëri të priten koka, të flitet për genocide e konflikte në luftën për pushtet, të maskuar pas luftërave fetare.

Ditët e takimeve e të diskutimeve u hapën sot, 12 maj, nën shenjën e Jeruzalemit e të Lindjes së Mesme, me një hyrje, që u kujtoi të ftuarve temat e takimit. Në orën 11, pranë Sallonit të të Dyqindëve, në Palazzo Vecchio, pas paraqitjes së organizatores, Francesca Campana Comparini, manifestimi u përurua me videomesazhin e kryerabinit të Jeruzalemit, Rav Aryeh Stren, pas të cilit vijoi ballafaqimi ndërmjet Patriarkut latin të  Jeruzalemit, imzot Fuad Tual dhe Rav Steinsalzt, rabin e filozof, që njihet si studiuesi më i madh aktual i Talmudit. Biseda u shoqërua nga Maurizio Molinari, korrespondent për Shtypin nga Jeruzalemi. Pastaj, pasdite, programi u pasurua më tej me praninë e Patriarkut kopto-ortodoks Tawadros II, që mori pjesë në një ballafaqim me kryebashkiakun e Firences, Dario Nardella dhe Ministrin e Jashtëm italian, Paolo Gentiloni. Takimin e drejton Monica Maggioni, drejtoreshë e Rai News 24.

Në  ditët e mirëfillta të festivalit, në qendër të vëmendjes së studiuesve të shquar, bashkëjetesa ndërmjet feve e kulturave të ndryshme, në një botë të globalizuar, ku faktori fetar shfrytëzohet për strategjitë gjakatare të terroristëve dhe të  njerëzve, që synojnë ta marrin a ta mbajnë pushtetin, duke përshkuar pa ngurrim të gjitha rrugët e mundshme.

Programi i plotë i tri ditëve të Festivalit mund të njihet më hollësisht në faqen zyrtare të internetit www.festivaldellereligioni.it, ku mund të regjistrohet emri  për të marrë pjesë falas në takimet. 

E takimet do të mbahen  në vende të shquara të qendrës historike fiorentine, si Çenakulli i Sh’na Krygjës, Biblioteka e Oblateve, Kabineti Viesseux, Oratori i Shën Tomës dhe Kinemaja Odeon. 

Ndërmjet tjerësh, në Festival do të flasin Zygmunt Bauman, Imammi Izzedin Elzir, Ennio Moricone e Valdo Spini.








All the contents on this site are copyrighted ©.