2015-05-11 13:48:00

Maqedonia e tronditur nga ngjarjet tragjike të Kumanovës


Bilanci i ngjarjeve tragjike në Kumanovë regjistron 22 të vrarë e me dhjetëra të plagosur. Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë e ka shpallur të përfunduar aksionin policor në Kumanovë, në të cilin u vranë 8 pjesëtarë të policisë dhe së paku 14 pjesëtarë të grupit të armatosur (shqiptarë) që prezantohej si Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Gjatë përleshjeve që kanë zgjatur dy ditë, janë plagosur 37 policë, ndërsa nga grupi i armatosur janë dorëzuar 30 persona. Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë kanë njoftuar se gjatë aksionit dyditor, “është eliminuar një nga grupet më të rrezikshme terroriste në Ballkan“.
Lajmin për përfundimin e aksionit e dha kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski. “Janë gjetur trupat e 14 personave, për të cilët supozohet se kanë qenë pjesëtarë të grupit terrorist dhe po punohet për identifikimin e tyre. Gjithashtu, jam i njoftuar se pjesa më e madhe e anëtarëve të këtij grupi, kanë marrë pjesë në sulmin terrorist ndaj stacionit policor në Goshincë". "Disa të tjerë kanë marrë pjesë edhe në konflikte të tjera dhe vlerësohet si grupi më i rrezikshëm terrorist në Ballkan. Është më se e sigurt se qëllimi kryesor i tyre ishte destabilizimi i Maqedonisë përmes sulmeve ndaj institucioneve shtetërore, objekteve civile, shkollore e sportive“, ka deklaruar Gruevski.
Ministri i brendshëm maqedonas shtoi se aksioni i dy ditëve të fundit në Kumanovë, ka qenë më i vështiri që është regjistruar ndonjëherë në Maqedoni.
Sipas Gruevskit, në përbërjen e policisë kishte pjesëtarë nga të gjitha komunitetet, të cilët, sipas tij, kanë treguar heroizëm të paparë në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Maqedonisë.
Zëdhënësi i Policisë së Maqedonisë, Ivo Kotevski, deklaroi se grupi i armatosur udhëhiqej nga disa shtetas të Kosovës, të cilët janë dorëzuar pa kushte. “Sipas njohurive tona, liderë të këtij grupi janë Muhamed Krasniqi, i ashtuquajtur komandant Malisheva, Mirsad Ndrecaj -komandant NATO, Sami Ukshini -komandat Sokoli, Beki Rizaj, Dem Shehu-Juniku e të tjerë. Tre nga drejtuesit e grupit i janë dorëzuar policisë së bashku me mbi 30 anëtarë të tjerë“, ka bërë të ditur Kotevski.
Sikurse Kotevski, edhe kryeministri Gruevksi, nuk kanë dhënë detaje për pasoja në popullatën civile me arsyetimin se aksioni në terren është në rrjedhë e sipër. Kryeministri Gruevski theksoi se Qeveria do t’i mbulojë shpenzimet për meremetimin e shumë shtëpive që janë djegur gjatë aksionit policor, në këtë lagje të Kumanovës, të banuar me popullatë shqiptare. “Maqedonia ka forcë për të ecur para. Persona dhe ngjarje të tilla nuk do të mund ta pengojnë drejt qëllimeve strategjike të saj. Të gjithë atyre që tentojnë të dëmtojnë shtetit i dërgoj mesazhin e qartë se do të përfundojnë sikurse ky grup terrorist“, ka deklaruar Gruevski.
Ngjarjet në Kumanovë kishin nxitur reagime të shumta, si nga partitë politike, ashtu edhe nga përfaqësitë e huaja diplomatike.
Partitë opozitare, në veçanti Lidhja Social-Demokrate e Zoran Zaevit, kanë ngritur dilema të shumta, duke hamendësuar se ngjarja ishte inskenim me qëllim për të zhvendosur vëmendjen nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve. Thirrje për qetësi në Vend janë bërë nga ambasada e SHBA-së, Zyra e BE-së dhe misioni i OSBE-së.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s reagoi gjithashtu ndaj zhvillimeve të kësaj fundjave në Kumanovë. 
Përmes një komunikate për shtyp, Jens Stoltenberg shprehu ngushëllimet e tij ndaj familjarëve të të vrarëve dhe të personave të plagosurve.
Ai tha se po i ndjek me shqetësim të madh zhvillimet në Kumanovë. “Është e rëndësishme që të gjithë udhëheqësit politikë dhe të komunitetit të punojnë së bashku për të rivendosur qetësinë dhe për të drejtuar hetimet me transparencë, për të kuptuar çfarë ndodhi”,  thuhet më tej në deklaratën e tij. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u “bën thirrje të gjithëve për t'u përmbajtur dhe për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm, në interes të vendit dhe të të gjithë rajonit”

Fuere, Qeverisë maqedonase: Mos luaj me zjarr
Qeveria e Maqedonisë po sillet në mënyrë të papërgjegjshme dhe e nënvlerëson situatën në vend, tha ish ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere. “Ajo që ndodhi duhet ta rikujtojë qeverinë për përgjegjshmërinë dhe obligimet të cilat i ka me marrjen e pushtetit. Në plan të parë, është ti vendosë interesat e vendit dhe para së gjithash të popullit të tij përpara të gjitha aspekteve të tjera. Ervan Fuere bënë thirrje për qetësi në vend dhe kërkon nga qeveria e Shkupit që t’i ftojë partitë politike të vendit të bisedojnë e gjejnë një zgjidhje sa më të mirë të krizës. Ky dialog duhet ta shënojë fillimin e dialogut më intensiv që të përgatitet procesi i tranzicionit në Vend”, tha Fuere.

Ivanov: Nuk do të lejojmë prishjen e marrëdhënieve ndëretnike
Anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë kanë dënuar ashpër prishjen e rendit dhe qetësisë nga ana e grupit të armatosur që kishte për qëllim destabilizimin e vendit. Kështu u shpreh pas përfundimit të mbledhjes presidenti Gjorge Ivanov, raporton Alsat-M. Ai tha se për këtë grup kishin njoftuar më herët edhe shërbimet në rajon dhe Evropë, por këmbimi i informatave nuk dha rezultate. 
Ivanov tha se nuk do të lejojë përshkallëzimin e tensioneve dhe prishjen e marrëdhënieve ndëretnike. Sipas tij kjo i kushtoi shumë vendit andaj duhet të ketë edhe përgjegjësi për të. Presidenti Maqedonisë kërkoi nga liderët politik ti kthehen dialogut politik dhe të kërkojnë zgjidhje për krizën politike. Në mbledhjen e sotme, për herë të parë, u ftuan të marrin pjesë edhe liderët e partive më të mëdha politike.  Partitë shqiptare BDI e PDSH u përfaqësuan nga deputetët Talat Xhaferi dhe Imer Aliu ndërsa nga LSDM mori pjesë lideri i saj Zoran Zaev i cili tha se pjesëmarrja e tij është për shkak të situatës së sigurisë në vend. Mbledhja e sotme filloi me një minutë heshtje në nder të policëve të vrarë në përleshjet në Kumanovë.

Ngjarjet në Kumanovë, sipas mediave ndërkombëtare, faji është i krizës politike

Mediat ndërkombëtare janë përgjithësisht të një linje kur i referohen dhunës që u regjistrua këto ditë në Maqedoni, duke bërë fajtore krizën politike që ka përfshirë vendin. Mediat i kushtuan një vëmendje të veçantë situatës së krijuar në Maqedoni, duke e cilësuar si një përleshje ndërmjet një grupi të armatosur dhe policisë, ndërsa disa media të tjera, e kanë cilësuar grupin e armatosur si ‘aktivistë terroristë', ashtu sikurse ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Jankullovska. Sipas “Washington Post” aktet kriminale të Kumanovës, përveçse kanë alarmuar Maqedonisë, kanë rritur edhe shqetësimin për destabilitet në rajonin e Ballkanit.
Skenari i një krize të madhe në Maqedoni ishte parashikuar deri diku, sipas “New York Times”, e cila i ka dhënë tepër peshë edhe më herët aferës së përgjimeve. Në një artikull tjetër, “New York Times”, shkruan se Maqedonia ka bërë hapa prapa, duke iu referuar BE-së, e cila vitin e kaluar ka shprehur shqetësime serioze në lidhje me politizimin në rritje të institucioneve shtetërore dhe kontrollit të qeverisë mbi mediat. , “New York Times”,  shkruan se Unioni Evropian duhet të ishte treguar më i ashpër me qeverinë e Shkupit. Sipas saj, duheshin qartësuar gjërat se Maqedonia nuk ka një demokraci funksionale dhe se autoritetet e bllokut 28 Vendesh duhet të bashkëpunojnë më tepër me institucionet shtetërore, me qëllim që të sigurojnë një hetim të pavarur të akuzave mbi çështjen e përgjimeve. “New York Times “ si përfundim pohon se kriza që ka kapluar vendin është një dështim i Evropës që u duartrokit aq shumë nga Maqedonia më herët.
Ndërkohë që buja e dhunës në Maqedoni ka shkuar deri në Australinë e largët, ku një media vendase shkruan se shumë njerëz në Maqedoni, pavarësisht nga përkatësia etnike, janë të mërzitur me ritmin e ngadaltë të integrimit me Perëndimin, duke u përballur kështu edhe me një krizë të madhe ekonomike, si dhe të një papunësie që kap shifrën e 28 %. Po ashtu, liderët perëndimorë janë alarmuar gjithnjë e më shumë për atë që e cilësojnë si një rritje të autoritarizmit në Maqedoni.

Çfarë ndodhi në Kumanovë? Analiza e gazetarit veteran Filipov 
Situata në Kumanovë është qetësuar tashmë dhe fundi i zhvillimeve tragjike të këtyre ditëve në qytetin e vogël maqedonas i ka lënë vend reflektimit. 
Në fjalimin e mbajtur përpara gazetarëve të pranishëm në sallë dhe mbarë vendit, kryeministri Nikolla Gruevski lartësoi punën e efektivëve të policisë që parandaluan sipas tij vrasjen e ndoshta 8 mijë vetëve. 
Më herët, ministria e Brendshme u tregua e hapur mjaftueshëm sa për t’i përcjellë reporterëve informacione mbi vrasësit e përshkruar si “pjesëtarë të një prej grupeve më të rrezikshme që veprojnë në rajon”. 
Emrin e grupit, ama, ajo nuk e tha. Rrethanat e ngjarjes së rëndë ngrenë pyetje të shumta dhe njëri prej personave që përpiqet të bëjë një analizim sa më të ftohtë të situatës është Kostadin Filipov, i cili ka qenë prej vitesh korrespondent i BNT-së në Europën jug-lindore. 
Po të mos kishte pasur kaq shumë viktima, ndër të cilët dhe policë, thotë ai, do e pranoja pa ngurrim se i gjithë ky nuk ka qenë gjë tjetër veçse një inskenim i qeverisë së Gruevskit. 
Filipov së pari e drejton gishtin tek “rehabilitimi personal i policisë”, për të vazhduar me atë personal të njërës prej figurave publike më të akuzuara për korrupsion dhe abuzim me pushtetin në vend, kreu i shërbimit sekret, Sasho Mijalkov. 
Së treti, ai nënvizon faktin se çdo herë që ekzekutivi maqedonas ka tentuar të ruajë, siç thotë, stabilitetin, komuniteti kombëtar e ai rajonal e kanë mbyllur me sukses njërin sy përballë dhunës së brendshme. 
Reporteri veteran është i bindur se akuzat e një organizimi të jashtëm, të cilave i mëshojnë me forcë autoritetet maqedonase, janë pa bazë. 
Filipov vëren sesi përplasjet pozitë-opozitë, të cilat arritën kulmin me protestat e vazhdueshme në rrugë dhe thirrjet për dorëheqjen e qeverisë, koinçiduan me këtë sulm. 
Bën përshtypje, sipas tij, edhe gjuha e përdorur nga ministrja e Brendshme për Kumanovën, e cila është e mbushur me bindjen dhe nevojën e skicimit të një imazhi sa më të qartë të kërcënimit madhor apo të armiqve famëkeqë, a thua se maqedonasit nuk e gjykonin dot vetë se sulmuesit ishin të armatosur e të rrezikshëm. Filipov gjen gjithashtu ngjashmëri të mëdha mes gjuhës së përdorur në këtë rast dhe etiketimeve të bëra ndaj liderit opozitar Zaev, të cilin edhe pse nuk e ka quajtur ndonjëherë hapur “terrorist”, qeveria e ka akuzuar dikur se po komplotonte për grusht shteti e së fundi e ka përshkruar si “kërcënim për stabilitetin e vendit”.  (ngaTop Channel )








All the contents on this site are copyrighted ©.