2015-05-10 15:41:00

Jo vetëm urdhërim, por dashuri e jetuar: Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore


“Urdhërimi i Jezusit për të dashur nuk është thjesht normë”: e nënvizoi Papa, duke shpjeguar se “norma mbetet gjithnjë diçka abstrakte, diçka jashtë jetës”. Duhet, prandaj, ta dallojmë normën nga jeta: ligji i dashurisë, nënvizoi Papa, u shkrua një herë e përgjithmonë në zemrën e njeriut. Duke u nisur nga rrëfimi i Darkës së Mbrame, Papa Françesku kujtoi fjalët e Jezusit: “Askush nuk ka dashuri më të madhe se kjo: të japë jetën për miqtë e vet”. E edhe urdhërimin e ri: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë ju”.

Në këtë mënyrë, shpjegoi Françesku, Jezusi na tregon udhën, që duhet ndjekur, udhën e dashurisë. E shtoi: “Kjo na kujton se Ai na do, edhe pse nuk e meritojmë dashurinë e Tij. Kështu na do Jezusi”.

Është udhë konkrete, udhë, që na nxit të dalim nga vetvetja, për të shkuar drejt të tjerëve. Jezusi na tregoi se dashuria e Hyjit vihet në jetë në dashurinë për të afërmin. Dy dashuri, së bashku. Faqet e Ungjillit janë plot me këtë dashuri: të rritur e të mitur, të ditur e të paditur, të pasur e të varfër, të drejtë e mëkatarë kanë gjetur e gjejnë gjithnjë vend në Zemrën e Krishtit.

Ta duam, prandaj, mirë njëri tjetrin, edhe pse jo gjithnjë kuptohemi. Jo gjithnjë merremi vesh. Por pikërisht këtu duket dashuria e krishterë. Dashuri, që nuk mungon edhe kur mendojmë ndryshe, edhe kur kemi karaktere të ndryshme. Kjo është dashuria më e madhe, që i kapërcen ndryshimet. Është dashuria, që na e mësoi Jezusi.

E, duke folur për këtë dashuri, që duhet dëshmuar, Françesku dha edhe shembuj konkretë për mënyrën e këtij dëshmimi me…

“…gjeste të vogla, ditë për ditë, gjeste afërsie me një të moshuar, me një fëmijë, me një të sëmurë, me një të vetmuar, një të stërmunduar nga jeta, një të pastrehë, të papunë, emigrant, refugjat… falë forcës së kësaj fjale të Krishtit, secili nga ne mund të bëhet i afërm i vëllait a i motrës, që takon. Gjeste pranie, afërsie. Në këto gjeste duket  dashuria, që na e mësoi Krishti”.

Në fjalët e lutjes së Mbretëreshës Qiellore, inkurajimi i Papës për të gjithë: “Të jeni të krishterë guximtarë e dëshmitarë të shpresës”.

Duke iu drejtuar pjesëmarrëve në Marshimin për jetën, në Romë, pohoi: “Është i rëndësishëm bashkëpunimi për ta mbrojtur e për ta promovuar jetën”. Më pas, një mendim për festën e nënës. Papa nëvizoi, me mirënjohje e dashuri:

“Tani u drejtohem nënave, që janë këtu, në Shesh. Janë? Po? A ka këtu nëna? Një duartrokitje për to, për nënat, që janë në Shesh… E kjo duartrokitje uroj t’i rrokë të gjitha nënat, të gjitha nënat tona të dashura; ato, që jetojnë me ne fizikisht, por edhe ato, që jetojnë me ne shpirtërisht. Zoti i bekoftë të gjitha e Zoja , së cilës i kushtohet ky muaj, i ruajtë”.

Pastaj, ftesa, që Papa e kujton gjithnjë, sepse e ndjen fuqimisht në shpirt:

“Ju lutem, mos harroni ta thoni një uratë edhe për mua!”.

Një mori përshëndetjesh drejtuar të pranishmëve, në përfundim: familjeve, grupeve famullitare, shoqatave e shtegtarëve, ardhur nga të katër anët e Italisë e të botës. Një përshëndetje e posaçme, shtegtarëve të ardhur nga Madridi, Portoriko e Kroacia, pjesëmarrësve në një kuvëndim organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane në mbrojtje të shkollës cilësore e të lidhur ngushtë me familjen si dhe delegacionit të grave të “Komen Italia”, shoqatë për luftën kundër tumorit të gjirit.  








All the contents on this site are copyrighted ©.