A mund të pohojmë se jeta e jashtëzakonshme e eremitëve, me vetminë e plotë, pendesën
e thellë, agjërimin e tepruar, mundimin e trupit, netët e kaluara pa gjumë në lutje,
ishte zbatim pikë për pikë i Ungjillit të Krishtit? A nuk ekzistonte rreziku që pas
vetmisë së tyre të fshihej kurthi i tekave, krenaria e njeriut që dëshiron të bëjë
diçka të jashtëzakonshme ose që nuk mund t’i durojë të tjerët, sepse e konsideron
veten përmbi ta? Për ta zhdukur një rrezik të tillë, një murg egjiptian i shekullit
IV, Shën Pakomi, organizoi një formë të re të jetës murgare: çenobitizmin ose jetën
e përbashkët, në të cilën disiplina dhe autoriteti zëvendësonin anarkinë e vetmitarëve.
Lutja, meditimi, puna ishin në bazë të kësaj jete.
Ai i edukoi dishepujt e tij për jetë të përbashkët, duke themeluar jo larg brigjeve
të Nilit, “koinoninë” e parë, siç u quajt bashkësia e tij e krishterë, që i përngjiste
bashkësisë së themeluar nga Apostujt në Jeruzalem, bazuar në lutjen, punën e ushqimin
e përbashkët dhe konkretizuar në shërbimin e anasjelltë. Dokumenti kryesor që rregullonte
këtë tip jete ishte Shkrimi Shenjt, të cilin murgu e mësonte përmendësh dhe e thoshte
me zë të ultë gjatë punës së përditshme. Kjo ishte edhe forma kryesore e lutjes: lidhja
me Zotin përmes sakramentit të Fjalës së Tij.
Shën Pakomi lindi në Egjiptin e Epërm në vitin 287 nga prindër paganë. I detyruar
të shërbente në ushtrinë perandorake në moshën 20 vjeçare, përfundoi në burg së bashku
me të gjithë rekrutët e tjerë. Disa të krishterë, të mbrojtur nga errësira e natës,
shkuan t’i vizitonin e t’u çonin pak ushqim. Gjesti i këtyre njerëzve të panjohur,
plot dashuri për të afërmin, e preku në shpirt Pakomin, i cili nuk mundi të mos i
pyeste ç’i shtynte ta bënin këtë veprim kaq të guximshëm e të rrezikshëm. “Zoti i
qiellit” qe përgjigja e të krishterëve. Atë natë Pakomi iu lut Zotit të të krishterëve
ta lironte nga zinxhirët, duke i premtuar se do t’ia kushtonte gjithë jetën. Zoti
ia dëgjoi lutjen! E edhe ai e mbajti premtimin. U bashkua me të krishterët e një fshati
jugor, që sot njihet me emrin Kasr-es-Sajad, ku u përgatit për të marrë Pagëzimin.
Për një farë kohe jetoi si asket, duke u shërbyer njerëzve të vendit, pastaj u bë
për shtatë vjet dishepull i murgut plak, Palamonit. Në sa jetonte pranë tij në vetminë
e shkretëtirës, një zë misterioz e ftoi të ngulte banesën në këtë vend, ku shpejt
rreth tij do të mblidheshin shumë dishepuj. Kur vdiq, la pas nëntë kuvende mashkullore
e një femëror. Nuk dihet ku u varros, sepse në shtratin e vdekjes kërkoi që trupi
i tij të pushonte në paqe në një vend të fshehtë. Nuk deshi që mbi reliket e tij të
ngrihej ndonjë kapelë ose kishë, siç ngrihej zakonisht mbi eshtrat e martirëve. Ishte
shenjë përvujtërie: ashtu si kishte jetuar, ashtu edhe vdiq, duke lënë pas atë Kishë
madhështore, e cila nuk ndërtohet me gurë, por me shpirtrat e njerëzve që fitohen
për Krishtin.
All the contents on this site are copyrighted ©. |