2015-05-08 16:55:00

Mozaik nga veprimtaria e Papës: prej takimit me Raul Kastron, tek shtegtimet ndërkombëtare


Shkrirja e akujve në marrëdhëniet ndërmjet Kubës e SHBA-ve e më gjerë, hapja e portave të Ishullit për botën, ishin temat kryesore,  rreth të cilave u zhvillua, sot paradite, biseda e Papës Françesku me presidentin e Kubës, Raul Kastro i cili, sot paradite, u prit në audiencë, në Vatikan.

Duke folur me gazetarët për këtë takim të rëndësishëm,  sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, në përfundim të një Meshe, kremtuar në prag të kësaj vizite tejet të rëndësishme, sqaroi: “Natyrisht, nuk është e lehtë t’i kujtojmë paraprakisht temat e një takimi, që nuk është kryer ende, aq më tepër se audienca u vendos të bëhej shumë shpejt. Por s’ka dyshim se gjatë takimit do të flitet për fundin e stinës së akullt ndërmjet SHBA-ve, e Kubës, në të cilin patën rol kyç Papa e Selia e Shenjtë. Pastaj, vijoi kardinali Parolin, vetë shtegtimi i Papës në Kubë e ka këtë synim: të përshpejtojë ditën e hapjes së plotë të portave, të mbyllura tepër gjatë, të Kubës”.

Përsa i përket shtegtimit të ardhshëm të Papës në Ishull, shtatorin e ardhshëm, para se të shkelë trojet e SHBA-ve, për të cilin nuk njihen ende hollësitë, sekretari i Shtetit shpjegoi  se të ngarkuarit me këtë detyrë, po fillojnë ta studiojnë programin. Gjithsesi mund të hamendësohet se Papa do të ndalohet në Havanë edhe me dëshriën që të vizitojë ndonjë nga dioqezet, ku nuk kanë shkelur as Gjon Pali II e as Benedikti XVI.

E ndërkaq, dje u  botua programi i një shtegtimi tjetër. Do të fillojë të diel, më 5 korrik 2015 shtegtimi apostolik i Papës Françesku në  Ekuador, Bolivi e Paraguay (5-13 luglio 2015).

Papa do të niset me avion nga Aeroporti i Romë/Fiumicino per Quito  (Ekuador) më 5 korrik.  

Në orën 15.00, mbërritja në Aeroportin Ndërkombëtar “Mariscal Sucre” të Quitos, ku do të mbahet edhe ceremonia e mirëseardhjes, me përshëndetjen e parë të Atit të Shenjtë drejtuar trojeve ekudoriane e në përgjithësi, Amerikës Latine.

Të hënë 6 korrik, nisja me avion për në Guayaqui, drejt aeroportit ndërkombëtar  “José J. de Olmedo”.

Në orën 11:15  Mesha Shenjte para Shenjtërores së Mëshirës Hyjnore, me homelinë e Atit të Shenjtë. Më pas dreka në  Kolegjin Javier, me Bashkësinë e Jezuitëve, nisja për Quito e arritja në Aeroportin Ndërkombëtar “Mariscal Sucre” di Quito.

Këto, dy ditët e para. Me vijimin e shtegtimit do t’ju njohim në emisionet e ardhshme.

Kurrë më krime kundër të miturve në Kishë: këtë pohon Papa Françesku në Kirografin, me të cilin themeloi, më 22 marsin e vitit të kaluara Komisionin  për mbrojtjen e të miturve. Dje u botua Statuti i Komisionit.

Sportistët kanë një mision shumë të rëndësishëm: duhet të jenë modele me vlerë për t’u imituar. Këtë u kujtoi, të premten e kaluar, Papa, të rinjve të Federatës Italiane të Tenisit, rreth 7 mijë vetë, të cilët i priti në Sallën e Palit VI,  në Vatikan. Papa dënoi në mënyrë të prerë dopingun.

Të enjten pasdite, më 7 maj, Ati i Shenjtë priti, në formë private, një grup me rreth njëqind pastorë ungjillorë me drejtim pentekostal, nga të katër anët e botës. Takimi u mbajt në Sallën e vogël, ngjitur me Sallën e Madhe të Palit VI dhe u karakterizua nga përzemërsia dhe fryma e lutjes për bashkimin e gjithë të krishterëve. Papa shoqërohej nga hirësia e tij, kardinali Kurt Koch,  kryetar i Këshillit Papanor për nxitjen e  bashkimit të të krishterëve.

Dje, në Vatikan, Papa priti për vizitë “ad Limina” ipeshkvijtë e Mozambikut.








All the contents on this site are copyrighted ©.