Të krishterët e Evropës të mos ndahen në çështjet etike. Kështu u shpreh Papa Françesku
sot gjatë takimit në Vatikan me Komitetin e përbashkët të Këshillit të Konferencave
ipeshkëvnore katolike evropiane (Ccee) dhe të Konferencave të Kishave evropiane (Cec)
që bashkon edhe Kisha tjera të krishtera të kontinentit të vjetër.
Ati i Shenjtë Bergoglio vlerëson përparimet që janë shënuar në udhën ekumenike dhe
mbështet më tej “ecjen ekumenike në Evropë, ku, tha ai, ende sot ekzistojnë shumë
ndarje ndërmjet të krishterëve”. E gjatë audiencës për herë të parë të përbashkët
të përfaqësuesve të ipeshkvijve evropianë katolikë (Ccee) dhe atyre protestantë e
ortodoksë (Cec), Papa kujtoi se dikur “për një kohë të gjatë të krishterët e këtij
kontinenti kanë luftuar njëri kundër tjetrit”. Mirëpo sot, vuri në dukje, “duke falënderuar
Zotin, situata ka ndryshuar shumë. Lëvizja ekumenike u ka mundësuar Kishave dhe Komuniteteve
kishtare në Evropë të bëjnë hapa të mëdhenj në udhën e pajtimit e të paqes”.
Ndër hapat që janë bërë përpara, Papa Françesku përmendi “Asambletë e fundit Ekumenike
Evropiane dhe Chartën Oecumenike, përpiluar në Strasburg në vitin 2001” duke i quajtur
“faktorë të frytshëm të bashkëpunimit ndërmjet Konferencave Ipeshkëvnore Evropiane”.
“Këto nisma – nënvizoi Papa Bergoglio – janë shkas i një shprese të madhe për kapërcimin
e ndarjeve, megjithë se jemi të vetëdijshëm se udha drejt bashkimit të plotë e të
dukshëm ndërmjet të gjithë besimtarëve në Krishtin, ende është e gjatë. Po në anën
tjetër, duket theksuar se, kjo udhë, me të gjitha vështirësitë e saj, tashmë është
pjesë e pandashme dhe e pakthyeshme e procesit të pajtimit e të bashkimit që Zoti
na kërkon e na bënë ta kryejmë, me kusht që të jetohet në dashuri e në të vërtetë””.
Kishat në Evropë sot “gjenden para ballafaqimit të sfidave të reja e vendimtare, ndaj
të cilëve mund të japin përgjigje efikase vetëm duke folur me një zë të vetëm”. Ndër
këto Papa tregon “sfidën e legjislacionit” që keq interpreton “parimin e tolerancës”
së lirisë fetare dhe “detyrën e bashkëpunimit për promovimin e solidaritetit e të
mirëpritjes” së refugjatëve e të emigrantëve “. “Para qëndrimit me të cilin Evropa
duket se po trajton emigracionin dramatik e shpesh edhe tragjik të mijëra e mijëra
njerëzve që ikin prej luftërave, persekutimeve e mjerimit, tha Papa Françesku, Kishat
dhe Komunitetet kishtare në Evropë e kanë për detyrë të bashkëpunojnë për promovimin
e solidaritetit e të mirëpritjes”.
E duke iu kthyer dialogut dhe ecjes në udhën ekumenike, Papa Françesku, në takimin
e sotëm me Komitetin e përbashkët të Këshillit të Konferencave ipeshkëvnore katolike
evropiane (Ccee) e të Konferencave të Kishave evropiane (Cec) që bashkon edhe Kisha
tjera të krishtera të kontinentit të vjetër, uroi që të mos mungojnë e të jenë të
frytshme rastet e reflektimeve të përbashkëta, nën dritën e Shkrimeve të Shenjta biblike
e të traditës së përbashkët”, “kur Kishat dhe Komunitetet kishtare në Evropë paraqesin
vizione të ndryshme mbi çështje të rëndësishme antropologjike apo etike”. E kujtojmë
se para fjalës së Papa Françeskut, folën edhe prifti Chrisropher Hill e kardinali
Peter Erdo. Në këtë audiencë ishte i pranishëm edhe Presidenti i Konferencës Ipeshkëvnore
katolike të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, në cilësinë e zëvendës presidentit
të Këshillit të Konferencave ipeshkëvnore katolike evropiane.
All the contents on this site are copyrighted ©. |