2015-05-07 15:42:00

Papa, atletëve të Lazio-s: sporti të transmetojë vlerat


7 mijë drejtues, atletë, sportistë, simpatizantë dhe familje të Shoqërisë Sportive të Lazio-s u takuan sot paradite me Papën Françesku, në Sallën Pali VI në Vatikan. Jo vetëm futbolli, por të gjitha sportet, u tha Ati i Shenjtë, favorizojnë ndërtimin e një bote më vëllazërore e më solidare, duke kontribuar në kapërcimin e padrejtësive e të problemeve njerëzore e shoqërore. Papa i këshilloi atletët e sportistët (kësaj radhe nuk kishin shkuar futbollistët) që së bashku me veprimtarinë sportive të kultivojnë edhe përmasën fetare e shpirtërore:

 

Sporti kundër padrejtësive

         “Nganjëherë ndodh që një djalë a një vajzë, për shkak të stërvitjes dhe të garave, ta lerë mënjanë meshën e katekizmin. Kjo nuk është shenjë e mirë, do të thotë se ka humbur shkalla e vlerave. Po ashtu, nuk duhen lënë mënjanë studimi, miqësitë, shërbimi për të varfërit. Këto janë gjëra që nuk duhen harruar, për hir të një gjëje të vetme. Jo, …të gjitha bashkë! Falë Zotit kemi shembuj të bukur burrash e grash sportive, edhe kampionësh të mëdhenj, që nuk kanë rreshtur kurrë së jetuari fenë, në shërbim të të afërmit”.

Shoqëritë sportive, shtëpi të hapura për këdo

         Duke përshkuar historinë e Polisportives, lindur në vitin 1900, Papa Françesku vuri në dukje se një grup të rinjsh deshi atëherë që sporti të ishte i afërt me popullin e t’i transmetonte atij vlerat e veta morale dhe etike:

         “Prandaj, ju inkurajoj të jeni mikpritës, të vlerësoni talentet e ndryshme. Shoqëria juaj sportive të jetë shtëpi e hapur, ku të eksperimentohet vëllazërimi dhe harmonia ndërmjet njerëzve, pa diskriminim”.

Jo vetëm futboll

         Më pas, Papa Françesku përktheu nga latinishtja moton e Shoqërisë, duke bërë shaka me aftësinë për të përkthyer të sportistëve: “Me harmoni gjërat e vogla bëhen të mëdha, me mosmarrëveshje gjërat e mëdha bien”. Ati i Shenjtë tërhoqi vëmendjen ndaj dinjitetit të barabartë të të gjitha sporteve:

         “Në Itali, ashtu si në vendin tim, në Argjentinë, ka rrezik të flitet gjithnjë për futboll e të lihen mënjanë sportet e tjera. Por, çdo disiplinë sportive ka vlerën e vet, jo vetëm fizike e shoqërore, por edhe morale, sepse u jep mundësinë njerëzve, sidomos të rinjve, të rriten me ekuilibër, me autokontroll, me sakrifica e besnikëri ndaj të tjerëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.