2015-05-06 17:12:00

Kisha do të ketë së shpejti 3 Shenjtorë të rinj; të Nderuar, dy bashkëshortë italianë


Kisha do të ketë së shpejti 3 Shenjtorë  e  3 të Lumë të rinj. Dje pasdite Papa Françesku priti kardinalin Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, duke e autorizuar dikasterin të shpallë Dekretet përkatëse.  Shtatë, të Nderuarit e rinj. Ndërmjet tyre, një çift italian. 

Më 23 shtator, shenjtërimi i vëlla Junipero Serrës

Ndërmjet Shenjtorëve të ardhshëm, është Junipero Serra, Frat i vogël spanjoll, apostull i Kalifornisë, që Papa do ta shenjtërojë më 23 shtatorin e ardhshëm, gjatë shtegtimit të tij në SHBA.  

Ndërmjet Shenjtorëve, don Vincenzo Grossi e Maria e Zojës së Papëlyer

Ndërmjet shenjtorëve të rinj, do të jenë edhe don Vincenzo Grossi e Maria e Zojës së Papërlyer, përkatësisht, njëri meshtar kremonez, themelues i Institutit të Bijave të Oratorit (Pizzighettone 9 mars 1845–Vicobellignano, 7 nëntor 1917); tjetra, eprore e përgjithshme e Motrave të Shoqërisë së Kryqit (Madrid 20 shkurt 1926-Siviglia 31 tetor 1998).

Të Lumë, dy martirë në Laos e një famullitar italian

 Të Lumë do të shpallen e dhe dy martirë në Laos: misionari oblat italian, Mario Borzaga e katekisti laik, Paolo Thoj Xyooj, laosian, të mbytur nga urrejtja për fenë në vitin  1960.

Do të jetë i Lum, pastaj, don Giacomo Abbondo (Salomino 27 gusht 1720- Tronzano 9 shkurt 1788). Don Abbondo ishte famullitar fshati, i dashuruar me Hyjin: e shkriu jetën duke i ndihmuar besimtarët për të zbuluar bukurinë e Zotit.

Të nderuar, bashkëshortët italianë, Sergio Bernardini e Domenica Bedonni   

Të Nderuar do të shpallen bashkëshortët italianë, Sergio Bernardini   (Sassoguidano 20 maj 1882 - Verica 12 tetor 1966) e Domenica Bedonni   (Verica 12 prill 1889 - Modena 27 shkurt 1971). Malësorë të bjeshkëve modeneze, i edukuan me fe të thjeshtë e dashuri për të varfërit, të 10 fëmijët e tyre, një pjesë e mirë e të cilëve iu kushtuan Zotit e të afërmit në jetën meshtarake e rregulltare. Domenika u thoshte fëmijëve të saj: “Ju kërkoj të silleni si shenjtorë e të keni guxim në vuajtje”. Ndërsa  Zotit: “Ti, o Zot, m’i fale, unë vetëm sa i ushqeva e i rrita, po janë Tuajt. Bekoji, të lutem”.

Të Nderuarit e tjerë janë: Giacinto Vera, Ipeshkëv i Montevideos; Antonio Antié, Meshtar kroat i Urdhërit të Fretërve të vegjël; Giulia Colbert in Falletti di Barolo, Laike, Vejushë e Themeluese e Kongregatës së Bijave të Jezusit, Bariut të Mirë; Brigida Maria Postorino, Themeluese e Institutit të Bijave të Zojës së Papërlyer; Raffaela Maria e Jezusit Hoste, Murgeshë e Urdhërit të Kapuçineve të Shën Kiarës.








All the contents on this site are copyrighted ©.