2015-05-06 14:29:00

Françesku: bashkëshortët të duhen me guxim, si e do Krishti Kishën


“Duhet guxim për t’u dashur, ashtu si Krishti e do Kishën”. Është një nga fragmentet më të forta të katekizmit të Papës Françesku, mbajtur në audiencën e sotme të përgjithshme, kushtuar bukurisë së martesës së krishterë. Papa, duke folur para Sheshit të Shën Pjetrit, përplot si në ditët e mëdha, me besimtarë e shtegtarë, pavarësisht nga vapa e verës, që ndjehet tashmë kudo, nënvizoi se të gjithë pjesëtarët kanë të njëjtën përgjegjësi në jetën e familjes, në sukseset e saj e edhe në dështimet. Para audiencës së përgjithshme, Françesku u takua, në Shtëpinë e Shën Martës, me një grup fëmijësh të sëmurë.

Martesa nuk është vetëm “lule, veshje, foto”, është shumë më tepër. Martesa është Sakrament, jo thjesht ceremoni. Papa Françesku e nisi kështu katekizmin kushtuar bukurisë së martesës së krishterë e menjëherë pas, duke cituar fjalët e Shën Palit, vërejti se “dashuria ndërmjet bashkëshortëve është pasqyrim i dashurisë ndërmjet Krishtit e Kishës”. Dinjitet i pamendueshëm, kometoi Papa, duke shtuar menjëherë se kjo analogji, edhe pse e papërkryer, ka kuptim shpirtëror tejet të thellë, të lartë e revolucionar e, njëkohësisht, mund të arrihet nga çdo burrë e çdo grua, që ia beson dashurinë dhe familjen e vet hirit të Hyjit.

Ta duash gruan tënde, ashtu si e do Krishti Kishën 

Prej këndej, Papa iu drejtua burrave të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, duke u kujtuar se, ashtu siç lexohet në Letrën drejtuar Efezianëve, duhet t’i duan gratë “si trupin e vet”:

“Po ju, bashkëshortë që jeni këtu, të pranishëm, a e kuptoni këtë? Ta duash gruan, si e do Krishti Kishën? Kjo nuk është shaka! Është tejet serioze! Efekti i këtij përkushtimi të thellë, që i kërkohet burrit për dashurinë e dinjitetin e gruas, sipas shembullit të Krishtit, duhet të ketë qenë i pamasë në vetë bashkësinë e krishterë”.

Kisha është e pranishme  në historinë e çdo martese

“Kjo farë e risisë ungjillore, që përtërin reciprocitetin e përkushtimit e të respektit të zanafillës, vërejti Papa, u hodh, mbiu e u rrit ngadalë në histori, por, në fund të fundit, dha fryte të begata". Françesku nënvizoi, kështu, se Sakramenti i Martesës është akt i madh feje e dashurie.

Kisha vetë, shtoi, është plotësisht e pranishme në historinë e çdo martese të krishterë: forcohet  nga sukseset e vuan nga dështimet e saj:

“Por duhet të pyesim seriozisht: a e pranojmë me fund, ne vetë, si besimtarë e si barinj, këtë lidhje të pazgjidhshme të historisë së Krishtit e të Kishës, me historinë e martesës e të familjes njerëzore? A jemi të gatshëm ta marrim mbi vete seriozisht këtë përgjegjësi, domethënë që çdo martesë të ecë në udhën e dashurisë, që ka Krishti me Kishën? E madhe, kjo!”.

Martesa e krishterë ka një përmasë misionare

Vendimi për t’u martuar në Zotin, tha akoma Papa, përfshin edhe përmasën misionare. E kjo, sepse çiftet e krishtera, si të tilla, marrin pjesë drejtpërdrejt në misionin e Kishës:

“E duhet guxim për këtë, eh? Prandaj, kur i përshëndes çiftet e reja, them: ‘Ja ku janë guximtarët’, sepse duhet guxim për t’u dashur, ashtu si e do Krishti Kishën. Kremtimi i Sakramentit nuk mund ta lërë jashtë këtë përgjegjësi të përbashkët të jetës familjare: misionin e dashurisë për Kishën. E kështu jeta e Kishës pasurohet nga bukuria e çdo bese, që lidhet në çdo sakrament, ashtu si edhe varfërohet, sa herë që kurora thyhet e martesa shpërfytyrohet”.

Kisha ka nevojë për besnikërinë e bashkëshortëve

Kisha, për t’ia ofruar të gjithëve dhuratat e fesë, të dashurisë e të shpresës, pohoi më pas Papa, ka nevojë edhe për besnikërinë guximtare të bashkëshortëve ndaj hirit të Sakramentit! E, në përfundim, nënvzoi se martesa “është udhë e përbashkët. Udhë e përhershme. Udhë e dashurisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.