2015-05-04 14:43:00

Papa: të krishterët, njëmendje për jetën e martesën


Të gjithë të krishterët duhet të ecin në udhën e bashkimit, por pa harruar të diskutojnë për jetën, familjen e sekusalitetin, duke mos u frikësuar nga ndryshimi i këndvështrimeve. Kështu tha Papa Françesku, pasi takoi në Vatikan, peshkopen e Uppsalës, zonjën Antje Jackelén, nga Kisha Ungjilloro-Luterane e Suedisë.

 

Jo kundërshtarë, por vëllezër në fe

         Ati i Shenjtë vuri në dukje se ndarjet e të krishterëve, jo vetëm bien ndesh haptas me vullnetin e Krishtit, por dëmtojnë rëndë edhe kauzën më të shenjtë, që është predikimi i Ungjillit të gjithë krijesave. Me respekt të thellë, Papa Françesku foli për të krishterët jo katolikë, të cilëve, nganjëherë, Kisha u kushton pak vëmendje:

         “Në të vërtetë, ata nuk duhet të shihen si kundërshtarë, ose si konkurrentë, por të konsiderohen ashtu siç janë: vëllezër e motra në fe. Katolikët dhe luteranët duhet ta kërkojnë e ta promovojnë bashkimin në dioqeza, famulli e në komunitetet e të gjithë botës. Në udhën drejt bashkimit të dukshëm në fe, në jetën sakramentore e në misterin kishtar, mbetet akoma shumë për të bërë, por duhet të jemi të sigurtë se Shpirti Shenjt do të rrezatojë gjithnjë dritë e forcë për ekumenizmin shpirtëror e për dialogun teologjik”. 

Të njëmendje për jetën, familjen, seksualitetin

         Papa përmendi dokumentin e fundit të Komisionit luterano-katolik, mbi përkujtimin e përbashkët të Reformës në vitin 2017. Më pas, u ndal në dëshminë e të krishterëve të persekutuar, për të cilët kërkoi angazhim të përbashkët në fushën e bamirësisë. Së fundi, temat e rëndësishme, që kanë të bëjnë me jetën e me familjen:

         “Urgjente dhe aktuale është çështja e dinjitetit të jetës njerëzore, gjithnjë për t’u respektuar, si edhe tematikat, që kanë të bëjnë me familjen, martesën dhe seksualitetin, për të cilat nuk duhet të heshtim nga frika se mos vemë në rrezik konsensusin ekumenik të arritur tashmë. Do të ishte mëkat, nëse nga këto çështje të rëndësishme do të konsolidoheshin dallime të reja konfesionale”.

         Papa falenderoi Kishën luterane suedeze edhe për mikpritjen, që u pati rezervuar emigrantëve nga Amerika e Jugut, në kohën e diktaturave.








All the contents on this site are copyrighted ©.