2015-05-02 17:02:00

Ati i Shenjtë emëron kardinalin Vlk të dërguarin e tij në kremtimet e 600-vjetorit të vdekjes së Jan Husit


Papa Françesku emëroi kardinalin Miroslav Vlk, kryeipeshkëv nderi i Pragës, të dërguar të tij të posaçëm në kremtimet, që do të mbahen me rastin e 600- vjetorit të vdekjes së Jan Husit, parashikuar në qytetin e Pragës për datat 5 e 6 korrik 2015.

Që më 1999, Gjon Pali II e pati quajtur reformatorin bohem, të dënuar me djegie mbi turrë të druve, më 1415, “figurë për t’u kujtuar, posaçërisht për guximin e tij moral, përballë kundërshtive e kundërshtarëve e edhe për vetë fundin aq tragjik e të dhunshëm”; “në prag të Jubileut të Madh të 2000-shit, pati thënë  Papa Wojtyla më 17 dhjetor 1999, e ndjej për detyrë të shpreh keqardhjen e thellë për vdekjen mizore, me të cilën i mbylli ditët e jetës Jan Husi e edhe për plagën, burim ndeshjesh e përçarjesh, që u hap më pas në mendjet e zemrat e popullit bohem”.

Me rëndësi të dorës së parë, pati nënvizuar Papa polak, është  përpjekja e studiuesve për të zbuluar të vërtetën e plotë e të thellë historike. Feja nuk trembet nga angazhimi i kërkimeve shkencore historike, sepse edhe kërkimi shkencor, në analizë të fundit, shkon drejt së vërtetës, që e ka burimin e vet pikërisht në Zotin. Një figurë, si Jan Husi, pikë kundërshtish në të kaluarën, pati thënë Papa, tani mund të shndërrohet në subjekt dialogu, ballafaqimi e thellimi të përbashkët në të kaluarën historike, me shpresë se kështu mund të bëhen hapa vendimtare në udhën e pajtimit e të bashkimit të vërtetë në Krishtin.

I dërguari i posaçëm i Papës në këto kremtime, kardinali Vlk, pati themeluar Komisionin ekumenik “Husovská”, për të përcaktuar në mënyrë më të saktë vendin që zë Jan Husi ndërmjet reformatorëve të Kishës.

I lindur më 1369, në Husinec, Çeki, Husi u dogj mbi turrë të druve, si heretik, më 6 korrik 1415, në Kostancë të Gjermanisë.

Pasi kreu studimet në Universitetin Karolina, duke arritur, më pas, gradën e profesorit e të rektorit të së njëjtës shkollë të lartë, e pasi u shugurua meshtar, nisi të shkruajë shumë vepra, ndërmjet të cilave, “De Ecclesia”(1413), duke vënë në qendër të vëmendjes, problemin  e parisë së Papës së Romës. Njihet si reformist çek, që  predikoi në gjuhë amtare, e jo në latinisht, sipas traditës së kohës. Reformoi edhe drejtshkrimin, me përdorimin e shenjave diakritike (De orthographia bohemica, 1414) e ngriti me forcë zërin kundër veseve të klerit, duke e mbështetur perandorin në përpjekjen për t’i konfiskuar pasuritë e klerikëve të korruptuar. U shkishërua më 1410 për qëndrimet e tij në favor të doktrinave të teologut John Wycliffe, sjellë në Pragë nga studentët çekë të Oxfordit.

Më 1414 u thirr nga Koncili i Kostancës, mbledhur për të zgjidhur problemin e skizmës së Perëndimit. Me që kishte mbështetjen e perandorit, mendoi se mund ta mbronte me sukses besojmën e tij, por sapo arriti, u burgos e u gjykua  si heretik. I ftuar të premtojë se nuk do të vijojë t’i përhapë doktrinat e tij, refuzoi kategorikisht. Atëhere Koncili e dënoi, gjë që në Bohemi u bë shkak për fillimin e luftës husite, në të cilën u dallua një emër tjetër, ai i Jan Zhizhkës, ndjekës i Jan Husit, themelues e gjeneral i husitëve.

Figura e Jan Husit u kujton bohemëve një fli të kohëve tona, atë të studentit Jan Palach që, kur mori fund “Pranvera e Pragës”, më 20 gusht 1968, me hyrjen e tankeve sovjetike, bëri gjestin e fundmë të prostestës, në emër të lirisë së popullit të vet: u kall flakë, duke mbetur në kujtesën e kombit si Jan Husi i kohëve të reja.

Rikujtojmë se Feja nuk trembet nga kërkimet shkencore historike, nuk ka frikë nga e vërteta, sepse kërkimet dhe e vërteta e kanë burimin e vet pikërisht në Zotin. E shkenca vijon kërkimin për figurën e Jan Husit. Fjala e fundit nuk është thënë ende! E dëshmon pjesëmarrja e Papës, përmes të dërguarit të tij, në kremtimet e këtij 600-vjetori, për një figurë kaq të diskutuar.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.