2015-05-01 14:42:00

Françesku: katolikët të merren me politikë për të mirën e përbashkët, jo të një partie


“Katoliku duhet të bëjë politikë, duke i shërbyer me guxim së mirës së përbashkët, pa u tunduar nga korrupsioni. Nuk është e nevojshme të krijohet një parti vetëm me katolikë”. Ky, qëndrimi që mbajti Papa Françesku gjatë takimit me përfaqësues të Bashkësisë së jetës së krishterë dhe Lidhjes Misionare të Studentëve, organizma të familjes së jezuitëve. Në Sallën e Palit VI, mbushur sa më nuk zinte, Papa iu përgjigj pyetjeve të të rinjve, duke prekur tema të shumta të jetës shoqërore.

Ndërmjet tjerash, pohoi se djalli e mbjell korrupsionin edhe në Kishë e se pati të drejtë Papa Ratzinger kur, duke i prirë Udhës së Kryqit, i ftoi të gjithë besimtarët t’i flakin ndyrësitë jashta Kishe! Françesku dënoi ashpër rastet kur punët, që duhet t’i shërbenin shoqërisë, u shërbejnë të korruptuarve, ose partive të tyre, duke shkaktuar dëme të rënda.  

E edhe një pohim me shumë rëndësi, për ta kuptuar si duhet konceptin e pagabueshmërisë së Papës. Françesku, duke vijuar bisedën me studentët, pohoi se Papa është i pagabueshëm kur bën përkufizime dogmatike, gjë që  e bën rrallë. Po nuk duhet harruar, vijoi të pohojë, se edhe Papa ka të metat e veta, e këtu nuk hyn fare pagabueshmëria. Ky papë, tha gjysëm me shaka Françesku, duke folur për veten, është paksa i çrregullt, e për këtë ju kërkon falje. Kërkonte kështu, ndjesë, sepse e kishte ndryshuar datën e takimit të madh me studentët.








All the contents on this site are copyrighted ©.