2015-05-01 16:24:00

Expo, rast për të globalizuar solidaritetin. Papa në videomesazh


“Të mos mendohet më se veprimet tona të përditshme nuk do të kenë ndikim mbi jetën e atyre që, pranë a larg nesh, vuajnë nga uria”. Është ftesa e Papës që, në videomesazhin e drejtpërdrejtë me Expo-në e Milanos, pak para hapjes, kërkoi pikërisht ndryshimin e mendësisë lidhur me çështjet ushqimore, për ta ushqyer planetin, duke respektuar çdo burrë e çdo grua, që banon në të e edhe mjedisin natyror. Françesku i thotë ‘jo’ shkapërderdhjes e përjashtimit e kërkon që secili t’i ketë parasysh fytyrat e burrave, të grave e të fëmijëve të kequshqyer. Kështu, thekson, Expo, mund të jetë “rast i përshtatshëm për ta globalizuar solidaritetin”.  

“E rëndësishme”, “themelore”; kështu e quan Françesku temën e Expo: “Të ushqehet planeti, energjia për jetën”. Pastaj porosit: “…me kusht që të mos mbetet vetëm “temë”, por të shoqërohet gjithnjë nga vetëdija e “fytyrave”: fytyrave të miliona njerëzve, që sot kanë uri, që sot nuk hanë me dinjitetin që i takon njeriut”.

Papa flet për praninë e fshehur të këtyre fytyrave që, thekson, duhet të jenë protagoniste të ngjarjes. Prani, të cilën Françesku do të dëshironte ta perceptojë çdo njeri, i cili do të kalojë për ta vizituar Expo-në. Qëllimi është i qartë e i detyrueshëm: të ndryshohet mendësia. Para nesh, kujtoi, kemi paradoksin e begatisë (siç pati thënë Gjon Pali II duke folur para Fao-s më 1992), kulturën e hedhurinës, të përjashtimit. Kemi ato, që Françesku i quan “pavijone të mrekullueshme” të Expo. Po këto mrekulli nuk e bëjnë të heqin dorë nga thirrja për të ndryshuar mendësinë: “…për të mos menduar më se veprimet tona të përditshme – në çdo shkallë përgjegjësie – nuk do të kenë ndikim mbi jetën e atyre që, pranë a larg nesh, vuajnë nga uria. Mendoj për shumë burra e gra, të cilët vuajnë nga uria e, posaçërisht, për një mori fëmijësh, viktima të urisë në botë”.

Françesku u drejtohet të gjithëve, pavarësisht nga vendi që zënë në shoqëri. Pastaj, kujtimi i disa fytyrave të tjera: “E ka edhe fytyra të tjera, që do të kenë rol të rëndësishëm në Ekspozitën Universale: ata të shumë veprimtarëve dhe kërkuesve shkencorë të sektorit ushqimor. Zoti i dhënë secilit urtinë dhe guximin, sepse e madhe është përgjegjësia e tyre”.

Në fillim, Papa sqaroi se po fliste si Ipeshkëv i Romës: në emër të popullit të Hyjit, shtegtar në botën mbarë; zë, nënvizoi, i shumë e shumë të varfërve, të cilët bëjnë pjesë në gjirin e këtij populli e plot dinjitet, përpiqen ta fitojnë bukën me djersën e ballit. Nga Selia e Shën Pjetrit, bëri thirrje:

“Expo është rast i përshtatshëm për ta globalizuar solidaritetin. Të mos e shkapërderdhim, por ta vlerësojmë plotësisht!”.

Një urim tjetër i Françeskut: “Nga ana ime, uroj që kjo përvojë t’u krijojë afaristëve, tregtarëve, studiuesve kushtet për ta ndjerë veten pjesëtarë në projektin e madh të solidaritetit: projektin për të ushqyer planetin, duke respektuar çdo burrë e çdo grua, që banon në të e duke respektuar edhe mjedisin natyror”.

Si të krishterë, Françesku kujtoi synimin e saktë të lutjes kryesore, asaj që na e mësoi vetë Jezu Krishti: Atynës, përmes së cilës i lutemi Atit: “Bukën tonë të përditshme jepnae sot”: “Kjo është sfida e madhe, për të cilën Hyji e thërret njerëzimin në shekullin XXI: t’i japë fund shpërdorimit të kopshtit, të cilin ia besoi Zoti, që të gjithë të mund të hanë nga frytet e këtij kopshti. Marrja mbi vete e një projekti të tillë të madh, i jep dinjitet të plotë punës së atyre që prodhojnë  ose që  vijojnë kërkimet shkencore në fushën ushqimore”.

Në ditën e parë të majit, kushtuar punës e punëtorëve, Papa nuk i harroi të drejtat e njerëzve të punës, atyre që u munduan ta ngrenë në këmbë këtë Expo. Kujtoi posaçërisht  më të paemrit, më të panjohurit, që edhe  falë Expo-së, fituan kafshatën e bukës së përditshme, për ta çuar në shtëpi.  

E, më pas, dy thirrje të Françeskut, me vlerë universale:“Askujt të mos i mungojë ky dinjitet. E asnjë kafshatë buke të mos jetë fryt i një pune të padenjë”.

E akoma: “E të mos i mungojë buka e dinjiteti i punës asnjë burri, asnjë gruaje”. Papa Françesku nuk ka dyshim; “Gjithçka niset prej andej, prej perceptimit të fytyrave”.








All the contents on this site are copyrighted ©.