2015-04-30 12:18:00

Papa Françesku: feja është historia e mëkatit dhe e Hirit Hyjnor


Të krishterët bëjnë pjesë në një histori mëkati e Hiri, gjithnjë para alternativës: të shërbejnë, apo të shërbehen nga vëllezërit. Homelia e Papës Françesku, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, u përqendrua në dy tipare të identitetit të krishterë. Së pari, historia. Shën Pali, Shën Pjetri dhe dishepujt e parë nuk kumtonin një Jezus pa histori, nënvizoi Ati i Shenjtë, por një Jezus, që bënte pjesë në një popull e në historinë e tij. Këtë popull Zoti e bëri të ecë në shekuj drejt pjekurisë, drejt plotësimit të kohëve. Hyji hyn në histori dhe ecën me popullin e vet:

         “I krishteri është burrë e grua e historisë, sepse nuk i përket vetvetes, bën pjesë në një popull, në një popull që ecën. Nuk mund ta mendojmë krishterimin me egoizëm, kjo nuk shkon. I krishteri nuk është burrë apo grua me përshpirtëri laboratori, është burrë apo grua e përshpirtshme, që bën pjesë në një popull me histori të gjatë, që vazhdon të ecë derisa të rikthehet Zoti”.

Histori hiri e mëkati

         Kjo histori, vijoi Papa Françesku, është plot me Hirin e Tënzot, por edhe me mëkatet e njerëzve:

         “Sa mëkatarë, sa krime. Edhe në leximet e sotme, shën Pali përmend Mbretin David, shenjt, por para se të bëhej shenjt ishte mëkatar. Mëkatar i madh! Në histori bëjnë pjesë domosdoshmërisht shenjtorë e mëkatarë. Edhe historia ime personale, e secilit prej nesh, duhet të përfshijë mëkatin tonë dhe Hirin e Zotit, që është me ne, na shoqëron në mëkat, për të na falur e për të na shoqëruar në Hirin Hyjnor. Nuk ekziston indentitet i krishterë pa histori”.

Të shërbejmë, jo të shërbehemi

         Tipari i dytë i identitetit të krishterë është shërbimi. Jezusi, kujtoi Papa, u lan këmbët dishepujve të vet, duke i ftuar të gjithë të bëjnë njësoj si Ai, pra, të shërbejnë:

         “Identiteti i krishterë është shërbimi, jo egoizmi. ‘Eh mor atë, jemi të gjithë egoistë’. Ah po? Eshtë mëkat, është zakon nga i cili duhet të shkëputemi. Të kërkojmë falje, që Zoti të na kthejë në udhën e vet. Jemi të thirrur të shërbejmë. Të jesh i krishterë nuk është dukje, apo sjellje shoqërore, nuk do të thotë t’i bëjmë makijazh shpirtit, që të jetë pakëz më i bukur. Të jesh i krishterë do të thotë të bësh atë, që bëri Jezusi: të shërbesh”.

         Së fundi, Papa Françesku i fton besimtarët të rrëmojnë thellë në vetvete: “Pyete zemrën, çfarë bëj më shumë? Marr shërbime nga të tjerët, shërbehem prej tyre, prej bashkësisë, famullisë, familjes, miqve, apo shërbej, jam në shërbim të të tjerëve?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.