2015-04-30 14:17:00

Papa: ekumenizmi nuk është fakultativ, na bashkoftë gjaku i martirëve


“Çështja e bashkimit të të krishterëve nuk është angazhim fakultativ”. Kështu u tha Papa Françesku anëtarëve të Komisionit ndërkombëtar anglikano-katolik, të mbledhur në Romë për një takim pune. Ati i Shenjtë nënvizoi se gjaku i martirëve të rinj duhet t’i bashkojë të krishterët përtej çdo ndarjeje.

Çështja e bashkimit nuk është angazhim fakultativ

         “Sot - nënvizoi Papa - bota ka urgjentisht nevojë për dëshminë e përbashkët e të gëzueshme të të krishterëve, që nga mbrojtja e jetës deri në promovimin e paqes e të drejtësisë”. Së shpejti, lajmëroi, do të botohen pesë deklarata të përbashkëta, rezultat i fazës së dytë të dialogut katoliko-anglikan, që na tregon se marrëdhëniet ekumenike dhe dialogu nuk janë elemente dytësore në jetën e këtyre Kishave:

         “Çështja e bashkimit nuk është angazhim fakultativ dhe divergjencat, që na ndajnë, nuk duhet të pranohen si të pashmangshme. Ndokush do të donte që, pas 50 vjetësh, të kishte rezultate më të mëdha në kët fushë. Pavarësisht nga vështirësitë, nuk mund të çkurajohemi, por duhet të besojmë edhe më tepër në fuqinë e Shpirtit Shenjt, që mund të na shërojë e të na pajtojë, duke bërë ç’duket e pamundur për njeriun”.

Dëshmia e martirëve, më e fortë se çdo ndarje

         Papa Françesku përmendi martirët e rinj të krishterë, viktima të dhunës e persekutimit për shkak të fesë, në anë të ndryshme të botës. Foli veçanërisht për martirët e Ugandës, gjysma katolikë e gjysma anglikanë:

         “Gjaku i këtyre martirëve do të ushqejë një epokë të re impenjimi ekumenik, një vullnet të ri e të apasionuar për të zbatuar testamentin e Zotit: që të gjithë të jenë një gjë e vetme (shih Gjn 17,21). Dëshmia e këtyre vëllezërve dhe motrave të na nxisë për të qenë edhe më koherentë me Ungjillin e për t’u përpjekur të realizojmë, me vendosmëri, atë që Zoti do për Kishën e vet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.