2015-04-29 17:02:00

Zi në Nepal, ndoshta 10 mijë të vdekur. Ndihmat, tepër të ngadalshme


Tri ditë zi në Nepal, ku numri i viktimave të tërmetit të së shtunës e ka kaluar 5 mijëshin, por mund të arrijnë edhe në 10 mijë, siç njofton qeveria. Një milion kanë mbetur pa shtëpi e mijëra fëmijë rrezikojnë jetën për shkak të hipotermisë. Frikës i shtohet edhe kaosi e protestat për shpërndarjen e ngadalshme të ndihmave e për ndërhyrjen e pamjaftueshme për gjetjen e njerëzve, që mund të jenë akoma gjallë, poshtë rrënojave. “Kemi uri e s’kemi as të hamë, as çadra për t’u mbrojtur”, thonë njerëzit, që kanë kaluar netë të ftohta jashtë, në rrugë. Kështu, në Dolakha u vunë zjarr zyrave qeveritare, ndërsa në kryeqytet, njerëzit bllokuan trafikun, duke u ndeshur me policinë.  Gjendja është mjaft tragjike. Mungon uji i pijshëm, ushqimi, ilaçet, ka probleme komunikimi, sepse linja telefonike dhe interneti shkojnë e vijnë e ndihmat nuk mbërrijnë, pavarësisht nga përpjekjet vendore e ndërkombëtare, pasi aeroporti nuk funksionon si duhet. Për më tepër, Nepali po kalon sezonin e shirave e priten musonet.








All the contents on this site are copyrighted ©.