2015-04-29 14:31:00

Papa Françesku: të krishterët të gjunjëzohen para të varfërve


Kisha e Romës të jetë gjithnjë e më tepër “nënë e kujdesshme për më të brishtët”: kjo është dëshira, që shpreh Papa Françesku në videomesazhin për Karitasin e kryeqytetit italian, me rastin e shfaqjes së sotme në Teatrin Brancaccio, me titull “Sikur të mos ishe ti…”. Me regjinë e Carlo Del Giudice, në skenë ngjiten njerëzit, të cilët ndihmohen nga strukturat e Karitasit. Fondet e mbledhura nga shitja e biletave do të shkojnë për projekte solidariteti.

Në shkollën e të varfërve

 Natyrisht, është shfaqje teatrale, por njeriu i pastrehë, emigranti, gruaja që ha në mensën e Karitasit, interpreton dramën e vet të vërtetë, të përditshme. E megjithatë, mesazhi që rrezatohet nga skena është se dashuria mund të hapë portat e së ardhmes, edhe në mesin e mjerimit më të zi, siç thekson edhe Papa në videomesazh:

 “Kush mendon se nga një i pastrehë mund të mësohet diçka? Kush mendon se mund të jetë shenjt? Por, sonte, ju do ta ktheni skenën në vend, nga ku të na transmetoni mësime të çmuara për dashurinë, të na thoni se kemi nevojë për tjetrin, për solidaritet, të na tregoni se si edhe në vështirësi, gjejmë dashurinë e Atit Qiellor”.

“Nuk jeni peshë e rëndë”

Papa Françesku nuk është i pranishëm në Teatër, por kuptohet se do t’i pëlqente të ishte aty, i ulur në mes të publikut, për të përjetuar diçka që s’ka të dytë. Ai, Bari universal, në shkollën e “korpit të Krishtit”, ku skena bën të dukshme e i jep formë estetike shumë historive, shumë llojeve të dashurisë: asaj për prindërit, asaj për një grua, asaj për fëmijët, për Zotin e për tjetrin. Ëndrra e ndjenja, që shndërrohen në teatër pa e humbur realizmin, mjafton të ndiqen shenjat e kohës në fytyrat e aktorëve, njerëz që gjithnjë zënë vendet e para në platenë e zemrës së Papës:

 “Ju nuk jeni peshë e rëndë për ne. Jeni pasuria, pa të cilën, përpjekjet tona për të zbuluar fytyrën e Zotit janë të kota. Pak ditë pas zgjedhjes, mora prej jush një letër me urime e premtime për lutje. Më kujtohet se jam përgjigjur menjëherë, duke ju thënë se ju kam në zemër e se jam në dispozicionin tuaj. I ripohoj ato fjalë. Në atë rast, ju pata kërkuar të luteni për mua. E përsëris kërkesën. Kam vërtet nevojë për këtë”.

Kisha e Romës, mjeshtre e “pìetas”

 Në një çast të caktuar, videomesazhi i Papës Françesku kthehet në një listë me emra romakësh, që u sollën si Samaritani i Mirë, duke u nisur nga shën Lorenci martir e deri tek don Luigji Di Liegro, themeluesi i Karitasin dioqezan e themeluesi edhe i Karitasit të Tiranës, me të cilin bashkëpunoi me mish e me shpirt. Ati i Shenjtë falenderon më pas vullnetarët e të gjithë ata, që ndihmojnë të të tjerët, duke provuar bashkë me nevojtarët ç’është dashuria e krishterë:

“Sa do të doja që Roma të shkëlqente nga “pìetas” (dashuria e krishterë) për të vuajturit, nga mikpritja për ata që ikin prej luftës e vdekjes, nga gatishmëria, nga buzëqeshja e shpirtmadhësia për kë ka humbur shpresën. Sa do të doja që Kisha e Romës të tregohej gjithnjë e më shumë nënë e kujdesshme dhe e dhimbshme për më të brishtët. Të gjithë kemi pika të dobta, të gjithë i kemi, secili të vetat. Sa do të doja që bashkësitë famullitare në lutje, kur hyn një i varfër në kishë, të gjunjëzohen për ta nderuar në të njëjtën mënyrë siç bëjnë kur hyn Zoti!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.