2015-04-29 15:16:00

Expo: Ravazi, pavion vatikanas për mbledhjen e fondeve


Pavioni i Vatikanit në Expo-në e Milanos, që do të hapet më 1 maj, do t’u flasë ndërgjegjeve. Kështu thotë kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, kardinali Gianfranco Ravasi, në një intervistë për gazetën italiane “Il Messaggero”. Nuk do të shitet asgjë në të, por do të mblidhen fonde për bamirësinë e Papës.

Ka pasur kritika për 3 milion eurot e shpenzuara për ta ndërtuar, por kardinali Ravazi shpjegon se fryma, që e nxiti Selinë e Shenjtë të marrë pjesë në Expo, është lufta kundër urisë. Për këtë, është e nevojshme që të gjithë të jemi një mendje se planeti nuk ka të ardhme, po të vazhdojmë ta shfrytëzojmë si deri më sot. Në pavionin virtual, spartan e minimalist,  të Vatikanit, do të gjejnë vend nisma që ngacmojnë ndërgjegjet. Do të flitet për ushqimin, për ata që e kanë me tepri, për patologjitë e lidhura me ushqimin, si bulimia dhe anorezia, për ata që as mund të ulen në tryezë, si edhe për banketin global. Kardinali Ravazi shpjegon se shpenzimi për ndërtimin e pavionit është nga më të ultit dhe çdo gjë është bërë transparente për mediat e për këdo kërkon informacion.








All the contents on this site are copyrighted ©.