2015-04-29 15:37:00

Papa në audiencën e përgjithshme: të dëshmohet bukuria e martesës, për t’iu kundërvënë krizës së familjes


Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa vijoi reflektimin kushtuar planit hyjnor të zanafillës, kur Hyji krijoi burrin e gruan. Shën Gjoni Ungjilltar, shpjegoi, në krye të Ungjillit të tij, rrëfen episodin e dasmës së Kanës, në të cilën, ndërmjet dasmorëve, ishin Maria e edhe Jezusi me dishepujt e Tij të parë (cfr Gjn 2,1-11). Jezusi jo vetëm që mori pjesë në këtë martesë, por edhe e shpëtoi dasmën nga koria, me mrekullinë e verës! Pra mund të themi se shenjën e parë të mrekullueshme, me të cilën dëftoi lumninë e vet, e kreu pikërisht gjatë një dasme. E gjesti, i nxitur nga Maria, u prit me entuziazëm të madh nga familja në fasha e dasmorët, rreth saj, në festë.

Prej këndej, mendimi i Papës se vetëm bukuria e martesës mund ta mposhtë krizën aktuale të familjes.

Fëmijët, viktimat e para të ndarjeve

“Kryevepra e shoqërisë është familja; burri dhe gruaja, që e duan njëri-tjetrin përgjithnjë!”. Papa Françesku e pohoi këtë me forcë, duke kujtuar pikërisht mrekullinë e dasmës së Kanës. Por sot, për fat të keq, të rinjtë nuk duan më të martohen. Në shumë vende të botës pakësohet numri i fëmijëve, ndërsa shtohen ndarjet.

“Mendojmë se viktimat e para, viktimat kryesore, viktimat, që vuajnë më shumë nga ndarjet, janë fëmijët. Po ta provosh që në vogëli mbi kurrizin tënd se martesa është lidhje e përkohshme, në mënyrë të pandërgjegjshme do të mendosh se edhe ti në atë rrugë duhet të ecësh, në gjurmët e prindërve”.

Kultura e së përkohshmes dhe frika e dështimit

Kjo është kultura e së përkohshmes, e kalimtares, vërejti Papa. Në të nuk   ka asgjë përfundimtare. Por pse, pyeti më pas, të rinjtë shpesh herë parapëlqejnë bashkëjetesën e, edhe më shpesh, përgjegjësitë e kufizuara? Sepse shumë, edhe ndërmjet të pagëzuarve, besojnë pak në martesën e në familjen.

Vështirësitë, nënvizoi, nuk janë të natyrës ekonomike, ndonëse edhe këto shpesh herë, tejet serioze. Për shumëkënd, kjo që po ngjet është pasojë e emancipimit të gruas. Po kjo, pohoi me forcë Papa, është tezë maskiliste, madje do të thosha, fyerje. Nuk është e vërtetë, pra. Është formë e maskilizmit, shpikje e mashkullit, që do të dëshironte ta sundonte gjithnjë gruan:

“Kështu do të bënim figurën e keqe, që bëri Adami, kur Zoti i tha: ‘Pse e hëngre frytin e pemës?’. E ai: ‘Ma dha gruaja’. Ia hodhi menjëherë fajin gruas. E varfëra grua! Duhet t’i mbrojmë gratë!”.

Në të vërtetë, vijoi, pothuajse të gjithë burrat e gratë do të dëshironin  një bashkim të sigurt, një martesë, që i bën ballë kohës, një familje të lumtur. Familja është  kulmi i të gjitha kënaqësive, që kërkojnë të rinjtë. E nëse nuk duan as ta mendojnë këtë, fajin e ka frika se mund të gabojnë e gjithçka mund të përfundojë keq përgjithëjetë.

Ndoshta pikërisht frika e dështimit është pengesa më e madhe për ta pranuar fjalën e Krishtit, i cili u premton hirin e vet të rinjve, që krijojnë familjen e re.

Të dëshmohet bukuria e martesës së krishterë

Atëhere ilaçi më i mirë për të shpëtuar nga kjo krizë, është dëshmia, që tërheq:

“Dëshmia më bindëse e bekimit të martesës së krishterë, është jeta e mirë e bashkëshortëve e mbarësia e familjes së tyre. Nuk ka mënyrë më të mirë për ta vënë në dukje bukurinë e sakramentit! Martesa e shuguruar nga Hyji e  ruan dhe e forcon lidhjen ndërmjet burrit e gruas. Zoti vetë e bekoi, që  prej krijimit të botës. Bëhet, kështu, burim i paqes e të mirave për gjithë jetën bashkëshortore e familjare”.

Dinjitet i barabartë burrë-grua, edhe në punë

Krishterimi, kujtoi Papa, në sakramentin e martesës, i njeh të njëjtin dinjitet si burrit, ashtu edhe gruas. Njeh barazinë e plotë ndërmjet bashkëshortëve, në pritje të fryteve të reja, të jetëve të reja.

Për shembull: duhet të mbrojmë vendosmërisht të drejtën e pagesës së barabartë, për punë të barabarta; pse u dashka që gratë të fitojnë  më pak se burrat? Jo! Të drejta të barabarta. Pabarazia është pastërtisht shkandull! Njëkohësisht, mendon Papa, duhet pranuar si pasuri me vlerë të përhershme e të pakundërshtueshme, amësia e grave e atësia e burrave, në dobi posaçërisht, të fëmijëve.

Falënderimi i Papës për dëshminë e shumë çifteve

Papa i fton familjet ta thonë së bashku Rruzaren e, në fund, i falënderon nga zemra:

“Të shumëdashur, ta falënderojmë sot Zotin për dëshminë e shumë bashkëshortëve që, në mbarë botën, duke i besuar hirit të Hyjit e forcës së dashurisë së tyre, e ruajnë bashkimin sakramentor për gjithë jetën. T’i mbështesim të fejuarit me lutje, me këshilla, me ndihmë, që të marrin guximin e të rrezikojnë, të krijojnë një bashkim të pandashëm e, me bekimin e Hyjit, të ndërtojnë familje të lumtura. E kjo është më e mira dëshmi për t’iu kundërvënë krizës së sotme të martesës e të familjes”.

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.