2015-04-28 18:10:00

Më 28 prill, kalendari përkujton Shën Pjetrin Chanel e Shën Luigjin Maria Grinjoni da Monfort


Sot më 28 prill, kisha katolike përkujton Shën Pjetrin Chanel, meshtar dhe martir. Pati lindur në Francë në Cuen, më 12 korrik 1803. Hyri që i ri në seminar dhe shumë shpejt u shugurua meshtar. Deshi të shkonte menjëherë në mision por nuk mundi ta realizonte dëshirën, sepse ipeshkvi i tij kishte nevojë për meshtarë. Më pas u lidh me meshtarë maristë, të cilët realizonin mesazhin misionar ndër famullitë ku punonin. Sapo iu krijuan mundësitë u nis menjëherë për në Oceani ku nisi të përhapë Fjalën e Zotit. Kur kishte arritur ta ungjillizonte thuajse të gjithë ishullin e vogël të Autunës, pleqtë fanatikë e martirizuan. Njihet si pajtor i Oqeanisë. 
Gjithashtu Kisha katolike sot përkujton edhe Shën Luigj Maria Grinjonin da Monfort, meshtar. I lindur në Francë në vitin 1673, Luigji Maria përshkoi zonat perëndimore të Atdheut duke predikuar diturinë e amshuar, Krishtin e mishëruar e të kryqëzuar dhe duke i mësuar njerëzit të arrijnë tek Jezusi me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar. Themeloi Misionarët e Shoqërisë së Marisë duke shkruar edhe rregullin përkatës.
Vdiq në St Laurent-sur-Sevre më 28 prill 1716. U shpall shenjt nga Piu XII më 20 korrik 1947.








All the contents on this site are copyrighted ©.