2015-04-27 14:56:00

Papa Françesku pret Mbretëreshën e Suedisë, Silvia


Papa Françesku priti sot, në Bibliotekën private të Pallatit Apostolik, Mbretëreshën Silvia të Suedisë, në vizitë private së bashku me disa familjarë. Sot pasdite, mbretëresha mori pjesë në një seminar të organizuar nga ambasada suedeze pranë Selisë së Shenjtë dhe nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore mbi temën e luftës kundër trafikut të njerëzve. Iu kushtua vëmendje e veçantë trafikut të fëmijëve. Në përfundim të vizitës, mbretëresha shkoi në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në përurimin e “distribution desk”, realizuar me kontributin e Fondacionit “Mbreti Gustavi VI Adolfi”.

        Biseda me Papën, njofton drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, u zhvillua në spanjisht, gjuhë, që mbretëresha e njeh fort mirë. Papa u informua mbi veprimtaritë e promovuara nga mbretëresha në Suedi, sidomos në favor të fëmijëve. Ati i Shenjtë shprehu mirënjohje për mikpritjen e treguar ndaj refugjatëve të strehuar në Suedi. Mbretëresha Silvia i bëri Papës disa dhurata, ndër të cilat tre libra të vegjël me lutje në suedisht, të përshtatshëm për fëmijët. Janë botuar me dëshirën e mbretëreshës, e cila e ka pasur fort për zemër edukimin fetar të fëmijëve të vet, gjë që Papa e vlerësoi shumë. Të pranishëm, edhe princesha Madeleine me të shoqin dhe vajzën e vogël 1-vjeçare, Leonore, me të cilën Papa Françesku luajti e qeshi me kënaqësi. 








All the contents on this site are copyrighted ©.