2015-04-26 18:28:00

Të ndryshme nga Vatikani e nga Kisha nëpër botë


Nga aktiviteti javor i Papës e Selisë së Shenjtë

Papa në audiencën e përgjithshme: të lutemi për familjet në vështirësi. Papa Françesku ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës së kaluar marrëdhënieve ndërmjet burrit e gruas, të lidhur me martesë. Ngriti zërin në favor të dinjitetit të gruas e, duke komentuar skenën e mëkatit të rrjedhshëm të Adamit dhe Evës, Ati i Shenjtë vuri theksin në besëlidhjen e burrit e të gruas me Hyjin e Gjithpushtetshëm, pa harruar vështirësitë që kalon sot martesa. “Ruajtja e kësaj besëlidhjeje të burrit e të gruas, - tha ai – megjithëse mëkatarë e të plagosur, të hutuar e të poshtëruar, të shkurajuar e të pasigurtë, është për ne besimtarët kërkesë impenjative dhe apasionuese, në kushtet e sotme”.

“Vetë tregimi i Krijimit  dhe i mëkatit – vazhdoi Papa – në fundin e tij, na jep një ikonë shumë të bukur: ‘Hyji Zot i bëri burrit e së shoqes tunika lëkure dhe i veshi’. Është një imazh dhembshurie ndaj atij çifti mëkatarësh, që na lë gojëhapur: dhembshuria e Zotit për burrin dhe për gruan. Është imazhi i mbrojtjes atërore për çiftin njerëzor. Vetë Zoti kujdeset dhe e mbron kryeveprën e vet”. E rruga e propozuar nga Papa, u përvijua në përshëndetjet në gjuhën portugeze: “Lutuni për të gjitha familjet, sidomos për ato në vështirësi, të sigurtë se ato janë dhuratë e Zotit dhe themel i jetës shoqërore!”


Ati i Shenjtë: njeriu të respektojë ambientin: Në përfundim të audiencës së përgjithshme të së mërkurës, Papa Françesku bëri thirrje për të respektuar natyrën, në Ditën që bota ia kushton Tokës. “Toka – nënvizoi ai – është ambient për t’u ruajtur e kopsht për t’u kultivuar”, prandaj duhet parë me sytë e Zotit Krijues. “Lidhja e njerëzve me natyrën nuk duhet të udhëhiqet nga babëzia, prirja për të manipuluar, për të shfrytëzuar, por duhet të ruajë harmoninë hyjnore ndërmjet krijesave e gjithësisë, me logjikën e respektit e të kujdesit, për ta vënë në shërbim të vëllezërve, e edhe të breznive që do të vijnë”.

Kuba: gëzimi i ipeshkvijve kuban për vizitën e Papës.

Gëzim e shpresë: këto janë ndjenjat me të cilat Kisha Katolike kubane priti lajmin e vizitës së Papës Françesku në vend, shtatorin e ardhshëm, para se të shkojë për në SHBA-të. U kujtua gjerësisht kontributi i Selisë së Shenjtë në dialogun diplomatik ndërmjet Havanës dhe Uashingtonit. Kisha vendase nënvizoi se Papa ndiqet me dashuri nga popullsia, për thjeshtësinë dhe mirësinë që e dallojnë papninë e tij, por edhe për deklaratat, me të cilat Ati i Shenjtë nxit rrugën e dialogut për zgjidhjen e konflikteve.

Para Papës Françesku, në Kubë kanë shkuar për vizitë edhe shën Gjon Pali II në vitin 1998, dhe Benedikti XVI, në vitin 2012. Ndërkaq, këto ditë, ndodhet në ishull, prefekti i Kongregatës për Klerin, kardinali Beniamino Stella, i cili ka qenë nunc apostolik në vend në periudhën 1993-1999. Ai takohet me ipeshkvijtë dhe viziton seminaret e Havanës, Kamaguejt dhe Santiago de Cuba. Vizita e tij do të përfundojë më 28 prill.

Ban Ki-moon do të diskutojë me Papën për krizën e emigracionit

Të martën e ardhshme, Papa Françesku takohet në Vatikan me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon. Argumenti kryesor i bisedës është ndryshimi i klimës e ndërhyrjet në favor të ambientit, por pas mbytjes së barkës me qindra emigrantë në detin e Libisë, ndër temat e diskutimit hyri edhe çështja e emigracionit. Vetë Papa Françesku shprehu keqardhjen dhe ngushëllimet e tij për vdekjen e mëse 700 vetëve, por tragjeditë e detit nuk përfunduan me kaq. Më pas, një barkë tjetër u mbyt para ishullit të Rodit në Greqi e mijëra emigrantë vazhdojnë të mësyjnë çdo ditë brigjet e Evropës. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të krerëve të shteteve e të qeverive, të enjten në Bruksel, Bashkimi Evropian vendosi të financojë më shumë operacionet e ndihmës së parë, por nuk pranoi të shpërndahen emigrantët në mënyrë të barabartë ndërmjet vendeve evropiane e as të digjen barkat e gomonet e skafistëve, siç iu pat imponuar dikur Shqipërisë nga Italia.

Kisha armene apostolike kanonizon viktimat e “së Keqes së Madhe”

Kisha armene Apostolike shpalli shenjtorë, të enjten, në Eçmiaxin, viktimat e martirizimit armen nga ana e otomanëve, në prag të përkujtimit të 100-vjetorit të genocidit, që vetë armenët e quajnë “E Keqja e Madhe”. Mëse 1 milion armenë u internuan, u vranë, u torturuan, por i mbetën besnikë Krishtit, nënvizoi gjatë ceremonisë së kanonizimit, kreu i Kishës armene Apostolike, Katolikosi Karekin II. I pranishëm si përfaqësues i Papës Françesku, kryetari i Këshillit Papnor për Bashkimin e të krishterëve, kardinali Kurt Koch.

Në Francë, parandalohen atentate kundër kishave

Në Francë, policia vazhdon të kërkojë bashkëpunëtorët e të riut algjerian, arrestuar ndërsa planifikonte një atentat kundër dy kishave në periferinë e Parisit. Kryeipeshkvi i kryeqytetit, kardinali André Vingt-Trois, pohoi se qëllimi ishte të goditej Franca dhe mënyra e saj e jetesës. Kisha franceze, deklaroi ai, do ta mbajë lart nivelin e emergjencës, por pa i penguar njerëzit të jetojnë lirisht e pa i lënë shteg frikës. Për herë të parë, atentatori deshi të godasë pikërisht të krishterët francezë e jo çfarëdo institucioni në Francën laike. Aktualisht, 178 vende katolike kulti janë vënë nën mbrojtje të veçantë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.