2015-04-26 18:39:00

Papa lutet në Sheshin e Shën Pjetrit për viktimat e tërmetit në Nepal: më se 3700 të vdekurit


Papa, gjatë kremtimit të Mbretëreshës Qiellore, u lut së bashku me të gjithë besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, për viktimat e tërmetit të fuqishëm i cili, dje në mëngjes, mbyti më se 3700 vetë, ndërmjet Nepalit e vendeve fqinje. E tronditja e tokës vijon: një lëkundje e fortë, rreth orës 09.00, me orën evropiane, e tmerroi përsëri popullsinë e Kathmandusë. Ndërkaq makina e ndihmave humanitare ndërkombëtare është vënë në lëvizje, ndonëse me shumë vështirësi:

“Lutem për viktimat, për të plagosurit e për të gjithë ata, që vuajnë nga shkaku i kësaj fatkeqësie natyrore. Duke uruar që askujt të mos i mungojë mbështetja dhe soldariteti vëllazëror, t’i lutemi së bashku Zojës së Bekuar të jetë pranë tyre në këto orë”.

Kështu u shpreh Papa, e besimtarët iu përgjigjen me një lutje korale, për t’i treguar, njëherësh me Françeskun, afërsinë popullsisë nepaleze, të dëmtuar kaq rëndë nga tërmeti. Ishte vijim i lutjes së Papës, kjo uratë në Shesh, pasi ia besoi mëshirës hyjnore shpirtrat e të vdekurve e iu lut Zotit t’i shërojë e t’i ngushëllojë të gjithë njerëzit e goditur nga kjo tragjedi, përmes një mesazhi drejtuar mbrëmë nuncit apostolik në Nepal.

Sot paradite një lëkundje e fortë prej 6,7 ballë të shkallës Rihter e tronditi përsëri vendin, pas një nate me lëkundje të vazhdueshme, që shkaktuan një ortek tjetër të fuqishëm dëbore në kampet bazë të Everestit, të cilat po evakuohen e ku u gjetën 18 trupa të vdekurish. Bilance tejet të rënda e, për fat të keq, nuk janë përfundimtare: më se 3700 viktimat; më se 6 mijë të plagosurit e rreth 6,6 milionë, sipas një vlerësimi të OKB-së, njerëzit e dëmtuar nga tërmeti. Një fshat i tërë, Langtantg, në veri të kryeqytetit, u mbulua fare nga një ortek, nën të cilin mund  të gjinden më se një qind të vdekur të tjerë. Tragjedi e vërtetë, e dyta, pas tërmetit që ra 81 vjet më parë e që mbyti në Nepal më se dhjetë mijë vetë.

Qeveria e Kathmandusë shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore e presidenti Koirala i ftoi qytetarët të jenë më të bashkuar se kurrë në këto çaste dramatike.

Ndërkaq po arrijnë avionët e parë me ndihma, por aeroporti i kryeqytetit, ku janë bllokuar disa ndihma humanitare indiane, ka ende vështirësi të mëdha, prandaj disa avionë nuk mundën të zbresin. Ndërkaq në gjithë qytetin vijojnë pa pushuar veprimtaritë e ndihmës.    








All the contents on this site are copyrighted ©.