2015-04-26 18:14:00

Papa Françesku shuguron 19 meshtarë të rinj


Sot, në Ditën e 52-të Botërore të Lutjes për Thirrjet, Papa Françesku kremton Meshën në Vatikan, gjatë së cilës shuguron 19 meshtarë të rinj. Në altar, bashkë me Atin e Shenjtë Bergoglio edhe kardinali vikar i Romës, Agostino Vallini, zëvendësi i tij, Filippo Iannone, pesë ipeshkvijtë ndihmës të Romës, eprorët e seminareve dhe famullitarët e 19 diakonëve, që sot nisin shërbimin meshtarak.

Jo vetëm të shuguruarit, por e gjithë bashkësia katolike u përgatit për këtë kremtim të rëndësishëm. Të premten, në orën 20.45, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, besimtarët u mblodhën në lutje për thirrjet. Takimi qe rast i çmuar, sidomos për të rinjtë, të cilët folën, medituan dhe u lutën për thirrjet meshtarake e ato në jetën rregulltare. Dëgjuan tri dëshmi: dy, të diakonëve nga Seminari Papnor i Madh Romak dhe nga Kolegji Dioqezan Misionar “Redemptoris Mater”, e tjetra, nga një murgeshë, që së shpejti do të marrë kushtet e përjetshme

Ndërkaq, nga 19 meshtarët e rinj, që morën sot shugurimin në duart e Papës Françesku, 13 do të shërbejnë në dioqezën e Romës. Janë të gjithë nën moshën 40 vjeçare. Më i riu, është romaku Filippo Zughetti, që do të mbushë 28 vjeç më 2 qershor. Gjashtë të tjerë janë edhe ata nga Roma, pastaj një italian nga Verona e një tjetër nga Mesina. Dy meshtarë të tjerë të grupit vijnë nga Kili, njëri nga Koreja e Jugut e i fundit, nga Kolumbia.








All the contents on this site are copyrighted ©.