2015-04-24 12:33:00

Vijon lotaria me dhuratat e Papës, për vepra bamirësie


Një lotari me çmime, për të financuar veprat e bamirësisë së Papës. Nismë e Governatoratit të Qytetit të Vatikanit, do të përfundojë më 29 qershorin e ardhshëm, në solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit. Është lotaria e dytë, pas asaj të Krishtlindjes, fitimet e së cilës iu dhuruan Lëmoshtarisë Apostolike.

Rreth 40 çmime në garë, në lotarinë e dytë për veprat e bamirësisë së Papës. Duke blerë biletën, që kushton 10 euro, në pikat e shitjes brenda Vatikanit, në Muzetë vatikanase dhe në Zyrën filatelike e numizmatike, mund të merret pjesë në ndarjen e çmimeve më 30 qershor, të nesërmen e Solemnitetit të Shën Pjetrit e të Shën Palit. Me  hedhjen e shortit do të merret një komision i posaçëm, që do të sigurojë  zhvillimin korrekt të veprimtarisë. Çmimet mund të tërhiqen brenda 30 ditëve, siç ndodhi edhe gjatë ndarjes së tyre në lotarinë e Krishtlindjes. Paratë e mbledhura, Papa do t’ia dorëzojë imzot Diego Ravellit, kryetar i zyrës së Lëmoshtarisë Apostolike.








All the contents on this site are copyrighted ©.