2015-04-24 17:15:00

Mbledhja plenare e ipeshkvijve të ish-Jugosllavisë: ndërmjet temave, vizita papnore


Pëfundoi dje, në Beograd, sesioni i 23-të plenar i anëtarëve të Konferencës ipeshkvnore ndërkombëtare të Shën Çirilit e Metodit, që përfshin disa nga vendet e ish-Jugosllavisë: Serbinë, Malin e Zi, Kosovën e Maqedoninë. Ipeshkvijtë shqyrtuan me vëmendje të posaçme marrëdhëniet ekumenike me Kishën ortodokse, duke komentuar vizitën e ardhshme të kryetarit të Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve, kardinalit Kurt Koch, në Beograd, nga 25 deri më 29 maj. Ndërmjet temave të diskutuara, kthimi i pasurive dhe arkivave kishtare si dhe normativat, që kanë të bëjnë me kontributet për priftërinjtë dhe rregulltarët, probleme ende të pazgjidhura.

Shtegtimi i Papës në Sarajevë

Në kuadrin e marrëdhënieve me autoritetet, shpjegon për agjencinë Sir kryeipeshkvi i Beogradit, imzot Stanislav Hoçevar, u paraqit edhe problemi i taksave për ndërtesat e Kishës. Kërkojmë, shtoi prelati, “të vendosen kritere të qarta mbi bazën e të cilave të zbatohet taksimi”. Në këtë çast nuk paguhen taksa vetëm për ndërtesat e caktuara për qëllime liturgjike, por jo për institucionet mësimore ose bamirëse, edhe pse nuk kanë të bëjnë me qëllime fitimi. Në plenare u fol edhe për vizitën e Papës Françesku në Sarajevë, në të cilën do të marrin pjesë besimtarët e gjithë zonës ballkanike, posaçërisht të rinjtë, që do të jenë të shumënumërt. Ndërsa me rastin e Vitit të jetës rregulltare, më 16 shtatorin e ardhshëm, në Samobor (Vojvodinë) do të kremtohet Dita  e takimit të rregulltarëve.

Propozimi i një konference ipeshkvnore për Serbinë

Në sesion mori pjesë edhe  nunci apostolik në Serbi, imzot Orlando Antonini, para të cilit ipeshkvijtë ripohuan kërkesën për të formuar një konferencë ipeshkvnore kombëtare për Serbinë. Konferenca aktuale ndërkombëtare është realitet shumë i ndërlikuar, që nuk e lehtëson marrjen e vendimeve baritore, sqaroi imzot Hoçevar. Ndonëse, shtoi, jemi të vetëdijshëm se problemi kërkon studim të vëmendshëm e të thelluar, posaçërisht për ipeshkvijtë e Malit të Zi, të Kosovës e të Maqedonisë. Presim, prandaj, vendimin e Selisë së Shenjtë, përfundoi kryeipeshkvi i Beogradit.

Sesioni i ardhshëm plenar do të mbahet më 14 e 16 marsin e vitit 2016, në qytetin e Suboticës.








All the contents on this site are copyrighted ©.