2015-04-24 15:35:00

Komastri: Sindona rrëfen dashurinë e Zoti për njerëzimin


“Dashuria më e madhe” është tema e takimit, kushtuar Sindonës, që u mbajt në Romë, në Bazilikën e Shna Krygjës së Jeruzalemit, organizuar nga Zyra dioqezane për baritorinë universitare e nga Vepra Romake e Shtegtimeve. Takimi u mbajt në përgatitje të shtegtimit të ardhshëm të universitarëve romakë në Torino, më 25 prill.

Të shtegtosh drejt Sindonës, do të thotë të vihesh për udhë për t’i parë nga afër shenjat e Mundimeve e të vdekjes së Krishtit, por edhe, e sidomos, është portë, për të hyrë plotësisht në misterin e Ngjalljes. U nis nga ky reflektim, takimi “Dashuria më e madhe”, për të cilin flet, në mikrofonin tonë, kardinali Angelo Komastri, kryeprift i Bazilikës së Vatikanit:

Përgjigje: -  Sindona është tepër e çmuar për njeriun e sotëm. Na krijon mundësinë të hyjmë në Mundimet e Krishtit, gati-gati ta shohim e ta dëgjojmë. Fytyra e njeriut të Sindonës, është fytyrë njeriu tepër të vuajtur, e njëkohësisht, të qetë. Fytyrë, nga e cila buron qetësi. Mund të pyesim pse? Përgjigjen e gjejmë në Ungjill: sepse është njeri, që vuajti për dashuri. Duke ia ngulur sytë Sindonës, vërehet menjëherë kjo dashuri. Charles de Foucauld, djaloshi parizian, në vetmitoren e tij, në Saharë, kishte vendosur në krye të vendit njeriun e Sindonës. E nën të kishte shkruar: “Kështu të deshi Zoti”. Besoj se kjo fytyrë i bën mirë edhe sot e kësaj dite atyre, që do ta shohin në ekspozimin e Torinos.

Pyetje: - Shenjat e vuajtjes e të gjakut derdhur nga njeriu i dhimbjes, vulosur mbi pëlhurën e linjtë, pasqyrojnë rrëfimin ungjillor mbi Mundimet e Krishtit…

Përgjigje: - Mund të pyesim ç’garanci kemi për vërtetësinë? Shikoj tri përkime të posaçme ndërmjet Ungjillit e Sindonës: njeriu i Sindonës është i dërmuar nga fshikullmi me kamxhik, si Jezusi; një rrahje “more romanorum”, pa i kursyer goditjet. Kështu tregojnë Ungjijtë e kështu regjistrohet në Sindonë. Njeriu i Sindonës është i kurorëzuar me ferra, fakt i pazakontë, e me kurorë ferrash u kurorëzua edhe Jezusi. Së fundi, gjaku i dalë nga brinjët, edhe ku fakt i veçantë, që i ndodhi Jezusit, fakt  i ndodhur pas vdekjes, e gjaku mbi pëlhurë është pikërisht i rrjedhur pas vdekjes. Kush mund të dyshojë në vërtetësinë?








All the contents on this site are copyrighted ©.