2015-04-23 11:06:00

Papa viziton Kubën në shtator, para se të arrijë në SHBA


Papa Françesku do të shkojë në Kubë në shtator, para që t’i vizitojë SHBA-së. Ati i Shenjtë Bergoglio ka pranuar ftesën e autoriteteve civile dhe të ipeshkvijve katolikë të ishullit dhe vendosi etapën kubane si pjesë të udhëtimit apostolik në SHBA-së, njoftuar prej kohe. Kështu udhëtimi papnor zgjerohet e merr një domethënie të re. Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë atë Federiko Lombardi konfirmoi udhëtimin e theksoi se programi është në përgatitje e sipër, e sipas të gjitha gjasave, datat e udhëtimit kuban mund të jenë 19-21 shtatori.

Siç dihet, Papa Françesku do të qëndrojë në SHBA-së nga data 22 deri më 27 shtator, me një ndalesë në Uashington, në Nju Jork e në Filadelfia, mes tjerash edhe me takime institucionale pranë presidencës së SHBA-së, në Kongresin amerikan dhe në OKB, e me aktivitete baritore, mes të cilave kanonizimin në Uashington të apostullit të Kalifornisë Junipero Serra dhe pjesëmarrjen në Ditën botërore të familjeve në Filadelfia.

Papa Françesku do të jetë Papa i tretë që do të vizitojë Kubë, pas Gjon Palit II në janar të vitit 1998 dhe Benediktit XVI në mars të vitit 2012. Në shtator shënohen 80 vjetët e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kubës dhe Selisë së Shenjtë, e kësaj radhe udhëtimi papnor realizohet në një periudhë të re të marrëdhënieve ndërmjet ish armiqve, Kubës e SHBA-së. Fillimi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy Vendeve u njoftua më 17 dhjetorin e kaluar, në ditëlindjen e 78-të të Papa Françeskut, dhe u ripohua në takimin historik kokë më kokë ndërmjet Roul e Barak, më 12 prillin e kaluar në Panama, gjatë takimit të nivelit të lartë të Amerikave. Papa në Kubë do të mbështesë matej udhën e nisur të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy Shteteve. Po kështu, siç është pjesë e programit apostolik, Papa në Kubë do të mbështesë Kishën katolike të vendit në veprimtaritë e ungjillëzimit dhe të angazhimit të saj në fushën shoqërore.  








All the contents on this site are copyrighted ©.