2015-04-23 19:13:00

Më 23 prill kalendari Kishtar përkujton Shën Gjergjin, martir


Gjergji, është një nga shenjtorët më të njohur, simbol i triumfit mbi të keqen dhe kasnec i pranverës. Shën Gjergji lindi në Kapadokie, ku edhe u bë oficer i ushtrisë romake. I kthyer në fenë e krishterë nga e ëma, hoqi dorë nga ky rang. Gjatë shpërthimit të martirizimit kundër të krishterëve, u burgos dhe u martirizua. I përballoi me një heroizëm të pashoq të gjitha torturat e edhe vdekjen, në emër të Krishtit.
Kulti i tij, shumë i lashtë, nisi të përhapej së pari në Palestinë. Figura e Shën Gjergjit u lidh me gojëdhënën e famshme të fitores mbi dragoin, e cila në përfytyrimin popullor simbolizonte fitoren e kristianizmit mbi dhunën çnjerëzore të së keqes. Prandaj në ikonografi paraqitet gjithnjë si kalorës kreshnik që ndeshet dhe mund draguan.
Devocioni ndaj Shenjtit u rrit e u përhap gjithnjë më tepër në rrjedhë shekujsh. Në mesjetë, kalorësit e zgjodhën Pajtor. Pas tyre u zgjodh edhe Pajtor i mbretërve të Anglisë, duke nisur nga Rikard Zemërluani. Mbetet dhe sot e kësaj dite Pajtor i shtëpisë mbretërore angleze e trojeve të saj.
Shën Gjergji është shenjt tepër i njohur edhe në Shqipëri. Devocioni i tij ka përshkuar shekujt, duke u lidhur me zakone shumë të bukura të ardhjes së pranverës, siç është zakoni i varjes së gemave të blertë, simbol i ringjalljes së natyrës, në dyert e jashtme e të brëndshme të shtëpive. Këto doke simbolike, prekëse të festës së Shenjtit i përshkruan shkrimtari i madh, Ernest Koliqi, në poezinë e njohur “Ditë Shëngjergjash”.
Në Shqipëri ndeshet dendur edhe toponimi ‘Shën Gjergj’, që dëshmon për ekzistencën e Kishave e kuvendeve të lashta kushtuar Shenjtit në Veri e në Jug: mjafton të kujtojmë Shën Gjergjin e Tiranës e atë të Vlorës, ku i fundit i njohur edhe në botë për bukuritë e natyrës; e sidomos Kishën e re të Shën Gjergjit në Nënshat të dioqezës së Sapës, që dëshmon për përtëritjen e traditave të lashta në kohë të reja.Së fundi theksojmë se emri Gjergj është shumë i përhapur ndër shqiptarë në trajtat Gjergj, Gjergjush, Gjush, Xhorxh, Gjorg për burrat e Gjorgjina për gratë. E mjafton të kujtojmë se dy nga burrat më të shquar të trojeve shqiptare, mbajnë emrin e Shenjtit: Gjergj Kastrioti e Gjergj Fishta.








All the contents on this site are copyrighted ©.