2015-04-23 11:38:00

Kuba, “kënaqësi e madhe” për njoftimin e vizitës së Papës


“Jemi të kënaqur e të lumtur” për njoftimin e vizitës së Papa Françeskut në Kubë: kështu e komentoi imzot José Felix Perez, sekretari dytë i Konferencës së ipeshkvijve të Kubës, duke shpreh “emocionin e ipeshkvijve, të priftërinjve e të gjithë kubanëve”  për konfirmimin e kësaj ngjarjeje. “Françesku është Papa i tretë që vjen në Kubë nga viti 1998”, kujtoi imzot Perez, duke nënvizuar mëtej fazën historike në të cilën do të realizohet vizita; ajo e “dialogut në zhvillim e sipër me SHBA-së, dialog për të cilin – kujtoi ai – Papa ka qenë njëri prej nismëtarëve e inkurajuesve”. Ajo e Papa Françeskut në ishull do të jetë një “vizitë pastorale”, nënvizoi mes tjerash zëdhënësi i kryeipeshkëvisë së Havanës, Orlando Marquez.
Vlerësim e kënaqësi u shpreh edhe nga autoritetet civile. “Prezenca e Papës në Kubë do të jetë e paharrueshme”. Kështu pohoi ministri jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez Parilla, në përfundim të takimit me përfaqësuesin e lartë të BE-së Federica Mogherini në Bruksel. Papa Françesku, shtoi Parilla, “ do të pritet me mirëseardhjen më të përzemërt të Kubës” sepse “jemi krenar që kemi një Papë nga Amerika e Jugut”, shtoi ai, që “me predikimin e tij lufton për zhdukjen e varfërisë në botë, për çka nxit admirimin e të gjithëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.